McGregor miliarder, i pasur nga ringu dhe bizneset

Conor McGregor kryeson betejën me dy boksierët e mirënjohur Anthony Joshua dhe Tyson Fury për t’u shndërruar në sportistin e parë miliarder në Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Këtë javë, 32-vjeçari nga Dublini shiti një pjesë të aksioneve të kompanisë së tij të uiskit “Proper Twelve”, për të çuar pasurinë e tij në nivele të paimagjinueshme. Tani, shumë vetë në Ishull mendojnë se “Notorious” i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë me të vërtetë i pari sportist miliarder në Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar pas shitjes së një pjese të mirë të kompanisë së tij të uiskit, të krijuar vetëm në vitin 2018.

Ish-kampioni i famshëm i UFC-së në dy pesha të ndryshme do të ndajë në këtë mënyrë një sasi të shumës prej 600 milionë dollarësh, që u përfitua nga shitja e një pjese të aksioneve, me mikun e ngushtë e të hershëm si dhe menaxherin e tij, irakiano-amerikanin Audie Attar, por gjithashtu edhe me partnerin e tij në biznes, Ken Austin. Conor McGregor ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë i përfshirë gjerësisht në këtë biznes, në një kohë kur pasuria e tij tashmë merr përmasa të tjera, duke u shtuar ndjeshëm, për t’iu afruar shifrës 300 milionë dollarë.

Pjesën më të madhe të përfitimeve të tij McGregor e ka siguruar nëpërmjet ndeshjeve në ring, duke patur parasysh që Conor kishte të garantuara plot 100 milionë dollarë nga sfida e boksit e vitit 2017 me veteranin nga Shtetet e Bashkuara, Floyd Mayweather Jr, që e mbylli karrierën e tij të lavdishme me rekord perfekt, pra pa asnjë humbje.

Gjatë karrierës së tij në octagon, sportisti irlandez ka siguruar të ardhura të tjera të konsiderueshme pikërisht nga sfidat në UFC dhe tani 32-vjeçari nuk bie poshtë shumës 20 milionë dollarë për ndeshje. Zëdhënësi i tij reagoi pa humbur kohë dhe foli rreth operacionit më të fundit financiar, duke shpjeguar se kushtet e marrëveshjes mbeten konfidenciale, sidoqoftë është e qartë që Conor McGregor do të vazhdojë të mbetet aksionar i kompanisë së uiskit “Proper Number Twelve”, që shpejt me shumë gjasa do ta shndërrojë sportistin e famshëm irlandez në miliarder.

Përveç kompanisë së uiskit, që drejton bashkë me miqtë e tij, Conor McGregor përfiton gjithashtu edhe shuma të konsiderueshme nga kontratat e sponsorizimit që ka siguruar me firma të tjera shumë të rëndësishme si: Monster Energy, Burger King, Reebok etj. Është e qartë që me shifrat që përfiton nga të gjitha këto nga sportistët aktivë McGregor është pa dyshim njeriu më i pasur në rruzull në boks dhe artet marciale, përpara madje edhe dy emrave shumë të mëdhenj si Anthony Joshua e Tyson Fury, që mbajnë aktualisht gjithë brezat e peshave të rënda në boks.

“Gypsy King”, për momentin, krenohet me titullin në versionin WBC, ndërsa AJ mban brezat në Federatat WBA, IBF dhe WBO, gjithsesi menaxherët e tyre po bëjnë çmos për të gjetur gjuhën e përbashkët, për të organizuar disa ndeshje ndërmjet këtyre dy boksierëve, që konsiderohen si më të mirët në peshat e rënda.

Ish-boksieri anglez, Scott Welch, pati parashikuar që pesë vjet më parë që Conor McGregor do të shndërrohej në një ndër sportistët më të pasur në planet. Welch ka deklaruar për Daily Telegraph se Floyd Mayëeather ka përfituar afërsisht 500 – 600 milionë stërlina, ndërsa Mike Tyson rreth 300 milionë pound, këtu e 20-30 vjet më parë, por sipas tij Conor i ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar vërtet në miliarderin e parë nga sportet e luftimit. Në krahun tjetër Anthony Joshua konsiderohet si ylli I ndeshjeve që transmetohen në “pay per view” dhe AJ pritet të përfitojë plot 75 milionë stërlina nga dueli i mundshëm me Fury-n, në verën e këtij viti.

Në fillimin e vitit 2021, 31-vjecari me origjinë nigeriane u shndërrua në boksierinë e parë britanik, përfitimet e të cilit prekën nivelin e nëntë shifrave. Kompania e tij Sparta Promotions deklaroi fitime rekord gjatë vitit të kaluar dhe boksieri nga Watfordi kaloi kufirin e 100 milionë paundëve, falë sukseseve të tij në ring, por gjithashtu edhe aktiviteteve të tij të biznesit që janë shtuar me 60 milionë stërlina, për të prekur një shifër të paimagjinueshme për të, prej 109 milionë aound.

Vetëm nga ndeshjet, nga shkurti i 2019 e deri në fundin e vitit 2020 AJ ka arkëtuar 57,35 milionë stërlina, ndërsa 6.55 milionë të tjera janë përfituar nëpërmjet marketingut. Në anën tjetër kurorëzimi për herë të dytë si kampion bote në peshat e rënda e coi në 40 milionë llogarinë bankare të Tyson Fury-t, ku pjesën më të madhe e zë natyrisht shuma që përfitoi në Nevada 14 muaj më parë, pas fitores ndaj boksierit të mirënjohur amerikan Deontay Wilder.