Miliarderi suedez kërkon blerjen e Arsenalit me ndihmën e tri legjendave

Miliarderi suedez, Daniel Ek, është i gatshëm të bëjë një ofertë për blerjen e klubit të Arsenalit me ndihmën e ish-tre “topçinjve” të mëdhenj: Thierry Henry, Dennis Bergkamp dhe Patrick Vieira. Sikurse raporton “Sky Sports UK”, Ek, bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i kanalit muzikor Spotify, ka rekrutuar tri legjendat e Arsenalit, të ashtuquajtur “Invincibles”, për ta ndihmuar që të blejë klubin nga pronari aktual, Stan Kroenke.

Ek shprehu për herë të parë interesin e tij javën e kaluar, pasi tifozët protestuan jashtë “Emirates Stadium” kundër Kroenke për shkak të përfshirjes së tij në projektin e dështuar të themelimit të Superligës së Europës. Ek, sipas Forbes, ka një pasuri me vlerë neto të vlerësuar rreth 4.7 miliardë €, dhe u konsiderua personi më me ndikim në botën e muzikës nga revista Amerikane “Billboard” në vitin 2017.