Momenti kur Edison Begaj qëllohet me 4 plumba në sy të dy fëmijëve, autori i kamufluar si polic

Top Channel ka siguruar videon kur Edison Begaj, një emër i njohur për strukturat e drejtësisë është qëlluar me 4 plumba në sy të 2 fëmijëve, nga një person i kamufluar si polic.

Ishte ora 23 20 mbrëmjes e datës 29 Maj kur është shtënë me katër plumba ndaj  38-vjeçarit Edison Begaj, i cili mbeti i plagosur .

Siç duket dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë Edisoni ka qenë duke hapur portën e banesës së tij dhe në makinë ka qenë me dy fëmijët .

Ndërkohë që një person i maskuar dhe i kamufluar me rroba policie ka shtënë me armë ndaj Edison Begajt, i cili ka mbetur i plagosur.

Ndërkohë që policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorit, i plagosuri vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Vlorës jashtë rrezikut për jetën.

Nuk dihet ende shkaku i plagosjes së tij dhe pista kryesore qëndron trafiku i drogës, për të cilin është dënuar më parë.

Edison Begaj rezulton të jetë piketuar nga OFL në maj të 2020-ës për të treguar burimin e pasurisë së tij, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.

Më 20 shkurt të vitit 2008, policia e Vlorës vuri në pranga shtatë persona, mes tyre edhe Begajn, duke i dhënë fund veprimtarisë 10-vjeçare kriminale të një bande e cila trafikonte drejt Italisë drogë dhe armë.

Ndërhyrja e dhjetëra punonjësve policorë të Vlorës dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë çoi në bllokimin dhe sekuestrimin e 284 kilogramëve hashash të ndara në tetë pako të mëdha, në fshatin Ndërmenas të Fierit.

Droga u gjet në një furgon, në të cilin gjatë kontrollit u zbuluan 5 armë zjarri automatike, një pistoletë  dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh dhe granatash. Në atë kohë, policia tha se armët e sekuestruara ishin destinuar për grupet kriminale italiane.