Nafiu: Do ta kujtoj gjithë jetën këtë supergol

Valmir Nafiu do ta kujtojë gjatë kohë golin e shënuar mbrëmë ndaj Totenhamit, ku për fat të keq skuadra e tij në fund pësoi disfatë 3:1 dhe u eliminua nga garat e sivjetshme të Liga Europa. Futbollisti tetovar shënoi një gol spektakolar në minutën e 54-të, duke barazpeshuar rezultatin në ato momente, ndërsa ky super gol përveç Nafiut,  ka bërë krenar edhe familjen e tij.

“Do ta kujtoj gjithë jetën këtë supergol. Jam krenar që kam bërë të lumtur familjen”, ka thënë fillimisht Nafiu gjatë një prononcimi për “SuperSport” pas ndeshjes së zhvilluar në Shkup.

“Patëm edhe shans për ta kthyer rezultatin në 2:1, por nuk e deshi fati. Pastaj përballë kishim Totenhamin dhe vetvetiu u mbrojtëm, por u ndëshkuam sërish. U ndjeva shumë mirë në fushë, edhe pse përballë kishim yje të nivelit botëror. Karriera ime dikur ka qenë në nivele më të larta, por u dëmtova dhe u desh të kthehesha sërish te Shkëndija”, – deklaroi fantazisti “kuqezi”, për të cilin ishte ky goli i parë këtë edicion.

Edhe përkundër disfatës, Shkëndija me kokën lartë mbyll pjesëmarrjen e sivjetshme në Europë duke u mundur me nderë nga Totenhami, pasi paraprakisht kaloi dy raunde pa gol të pranuar në dy ndeshje të luajtura si mysafirë (Sumgayit 0:2 dhe Botoshani 0:1).