Ndalohet në Romë për spiunazh atasheu ushtarak i ambasadës ruse

Me urdhër të Prokurorisë së Romës, Reparti i forcave speciale i Policisë italiane ka ndaluar  gjatë mbrëmjes së djeshme një funksionar ushtarak rus i Ushtrisë së Federatës ruse,  i akredituar  pranë Ambasadës Ruse në Romë si dhe një ushtarak italian i forcave të Marinës Militare.

Akuza ndaj tyre është krimi i spiunazhit ndërkombëtar në dëm sigurisë së shtetit.

Ndalimi i tyre erdhi pas një aktiviteti investigativ drejtuar nga Agjencia Italiane e Sigurisë së Shtetit e nga Organi i Ministrisë së mbrojtjes SMD, i drejtuar nga Kreu i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Italiane.

Dy ushtarakët u kapën në flagrancë gjatë një takimi të fshehtë ku ushtaraku Italian i Marinës Militare i dorëzoj funksionarit rus një dosje me dokumente në shkëmbim të një shume parash.

Ndaj ushtarakut italian është firmosur urdhri i arrestimit, ndërsa ndaj funksionarit ushtarak rus po kryhen verifikimet e rastit  e praktika administrative në varësi të statusit të tij diplomatik.

Në lidhje me këtë operacion Ministria e jashtme italiane ka thirrur sot në takim Ambasadorin rus në Romë Sergey Razov i cili do të pritet nga Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë Elisabetta Belloni.