Neraldo Ymeri: Punoj për të arritur majat në boksin profesionist

I ri në moshë por nuk njeh limit pasiqë 20 vjeçari para vetes ka një sukses të tërë. Neraldo Ymeri vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon diçka mbi karierën e tij në fushën e boksit e që tashmë e ka kthyer edhe në profesion.

U bënë disa vite që meresh me këtë sport, na thuaj kush të motivon dhe cilat janë pritshmëritë?

Së shpejti bëhen 7 vite që ushtroj boksin, që tashmë është kthyer në profesion për mua. Pritshëmritë janë të larta, ëndrrat edhe më të mëdha akoma. Vizioni afatgjatë i gjithë stërvitjes dhe punës që bëj është të arrij majat në boksin profesionist (titujt e WBC, ËBA, IBF). Prej tyre buron motivimi për t’u stërvitur pa ndalim çdo ditë. 

E ke pasur problem fillimin, baticat zbaticat, përkrahja nga dikush?

Le të themi që kur kam nisur boksin në Arena Boxing Club, isha 14 vjeç dhe 85 kile. Pra, goxha në disavantazh në krahasim me moshatarët e mi. E gjithë eksperienca ndër vite ka qënë shumë sfiduese, por karakteri këmbëngulës dhe ana ime konkurruese nuk më linin të hiqja dorë. Dhe falë përkrahjes që kam patur nga trajnerët e mi, në veçanti Fatjon Sorra, 2 vitet e para të stërvitjes, arrita të qëndroja i motivuar.

Po ndonjë idhull që mendon se ndjek hapat e tij në botë a e ke?

Nuk kam idhuj, por ndjek shumë kampiona që vazhdojnë të më frymëzojnë me historitë e tyre. 

Kush mendon sipas teje po ngjitet fuqishëm në sportin që ti kultivon?

Krahas boksierëve të fuqishem të rangut ndërkombëtar si Teofimo Lopez, Devin Haney dhe Ryan Garcia, kemi edhe talente vendase që së shpejti do i shohim në arena botërore, si p.sh. Amarildo Vraja.

Cilat janë planet që ke planifikuar këtë vit?

Planet janë duke u zgjeruar nga momenti në moment. Megjithatë, mund të them që në fund të këtij viti kam ndeshjen për titullin Kampion.

Sa meçe ke pasur deri më tani, në sa ke dal fitues e sa humbës?

Në boksin olimpik kam patur 30 ndeshje. Në boksin profesionist, në 22 Shkurt arrita fitoren time te 5-të dhe të 3-tën me K.O. Pra rekordi është 5 fitore – 0 humbje – 0 barazime (3 K.O’s.).

A mendon se humbja ndonjëherë të kthen prapa apo të bën më të fortë?

Mendoj se humbja të kthen me këmbë në tokë. Arsyeja pse mund të kem humbur në një ndeshje ka qënë ose fakti që më “ka hypur vetja ne qejf”, ose që nuk kam qënë i pergatitur aq mirë sa kundërshtari. Në te dyja rastet nuk i kam lejuar vetes justifikime. Kam mbajtur gjithmonë përgjegjësi për rezultatin dhe me vonë jam rikthyer në formën më të mirë. Humbja, në çdo aspekt të jetës, i bën më të fortë të gjithë njerzit me karakter të hekurt.