Nga tubimi në Tetovë, Besimi: Falë kontributit të BDI-së dhe Ali Ahmetit, shqiptarët janë qytetarë të nderuar të këtij vendi

Bashkimi Demokratik për Integrim, me një prani të madhe të qytetarëve, simpatizantëve dhe veprimtarëve të BDI-së, ku ishte i pranishëm edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kandidatët e kësaj partie nga zonat zgjedhore, zhvilluan takimin qendror elektoral, dr. Florin Besimi vuri në dukje të arriturat për këto 20 vite, në krye me BDI-në dhe Ali Ahmetin. Ju të gjithë më njihni. Unë jam mjek. Profesionin e kam të shpëtoj jetë, që jetës t’i jap dritë. Ne nuk jemi të llafeve, por të punës e të veprave. Faktet flasin e ua mbyllin gojën, për shkak se duken dhe janë të pamohueshme, ka potencuar dr. Florin Besimi.

Sot shqiptarët e Maqedonisë se Veriut janë qytetarë të nderuar dhe të respektuar të këtij vendi, sot administrata e këtij shteti flet edhe shqip, Sot policia dhe ushtria frymojnë edhe shqip, Flamuri kombëtar i larë me aq gjak valon i lirë gjithandej, edhe nëpër institucione të shtetit, ka potencuar dr. Florin Besimi, duke shtuar se gjuha shqipe është në përdorim zyrtar, në të gjitha instancat dhe sferat e jetës publike, administrative e shtetërore.

Dr. Florin Besimi ka cekur edhe sukseset tjera që kanë arritur shqiptarët për këto 20 vite. “Sot jo vetëm që kemi të zyrtarizuar Universitetin e Tetovës, por kemi edhe Universitetin Nënë Tereza në Shkup dhe si shtet bashkëfinancojmë edhe Universitetin e Evropës Juglindore”, tha në deklaratën e tij para elektoratit të BDI-së dhe qytetarëve të mbledhur në Tetovë. “Sot më nuk është tabu dhe temë e ndaluar bartja e përgjegjësive më të larta shtetërore edhe prej shqiptarëve, sot jemi anëtar të NATO-s, e presim të bëhemi dhe anëtarë të Bashkimit Evropian, të gjitha këto të arritura kanë një emër, mbajnë një vulë, janë vepra madhore të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetarit tonë Ali Ahmeti”, ka theksuar dr. Florin Besimi, në tubimin madhështor të BDI-së, në Sheshin “Iliria” në Tetovë.