“Njerëzit po vdesin urie”, kriza në Jemen, OBSH jep alarmin

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi se Jemeni i shkatërruar nga lufta, është “në rrezik të pashmangshëm të përballjes me urinë më të rëndë që bota ka parë në dekada”, ku jeta e miliona njerëzve është në rrezik.

Alarmi i ngritur prej tij vjen pas raportimeve nga Shtetet e Bashkuara se planifikon që ta njohë si organizatë terroriste lëvizjen rebele Huthi të Jemenit, me qëllim që të rrisë presionin mbi mbështetësin e kësaj lëvizjeje, Iranin. Grupet e ndihmës thonë se përcaktimi i rebelëve Huthi si organizatë terroriste do të vështirësojë dërgimin e ndihmave për 80 për qind të popullatës prej 24 milionë banorësh të Jemenit, të cilët varen prej tyre për mbijetesë. Po ashtu, kjo lëvizje e SHBA-së, sipas të njëjtave grupe, do të minojë shpresat se mund të rinisin bisedimet e paqes për t’i dhënë fund konfliktit në Jemen.

Pas paralajmërimeve për sanksione të mundshme të SHBA-së, shefi i OKB-së, Guterres bëri thirrje për kujdes mbi çdo politikë e cila sipas tij do të mund të përkeqësojë situatën.Jemeni është në luftë civile që prej vitit 2015. Konflikti ka vrarë mbi 100,000 persona dhe ka shkatërruar infrastrukturën, duke krijuar një prej krizave më të rënda humanitare në botë.