Operatorët celularë raportojnë humbje gjatë 2020

Shifrat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) konfirmojnë të dhënat paraprake të publikuara nga “Monitor” në fillim të muajit qershor dhe tregojnë se rezultati i përbashkët i tre operatorëve celularë për vitin e kaluar ishte negativ në vlerën e rreth 235 milionë lekëve, në përkeqësim të dukshëm nga viti 2019, kur rezultati agregat kishte qenë pozitiv për më shumë se 1 miliard lekë.

Përcaktuese në këtë përkeqësim ka qenë tkurrja e ndjeshme e rezultatit të kompanisë Vodafone Albania, që raportoi një fitim prej vetëm 120 milionë lekësh, ndërsa në vitin 2019 kishte arritur fitim përreth 1.4 miliardë lekë. Ndikim negativ dha edhe rezultati i Albtelecom, që thelloi humbjet për të dytin vit radhazi. Sipas AKEP, Albtelecom humbi rreth 1.18 miliardë lekë, nga 645 milionë lekë që kishte qenë humbja e vitit të mëparshëm.

I vetmi operator që për vitin e kaluar arriti të përmirësonte rezultatin e vet financiar ishte One, që raportoi një fitim në vlerën e 820 milionë lekëve, nga 285 milionë lekë fitim që kishte arritur për vitin 2019.

Pas vitit 2015, performanca financiare e operatorëve celularë është keqësuar ndjeshëm, për shkak të ashpërsimit të konkurrencës dhe rënia e bazës së të ardhurave. Tregu i shërbimeve celulare pësoi rënie për të katërtin vit radhazi në 2020 dhe të ardhurat totale të operatorëve kishin vlerën e 23.9 miliardë lekëve, në rënie me 9% krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të AKEP, investimet në rrjetet celulare arritën vlerën e rreth 56 milionë eurove, në rritje me 64% krahasuar me një vit më parë.

Në raportin vjetor të vitit 2020, AKEP shprehu shqetësimin se konkurrenca po shoqërohet me praktika të çmimeve grabitqare, që mund të dëmtojnë sidomos operatorët më të vegjël dhe në tërësi aftësinë e tregut për të siguruar fitime të mjaftueshme për të mbështetur investime të reja në të ardhmen.

Nga monitorimet e bëra nga AKEP është konstatuar se gjatë pjesës së dytë të vitit 2020 ka pasur shtim të fushatave promocionale agresive të operatorëve celularë për të tërhequr konsumatorët, duke ofruar paketa me çmime të ulëta, deri në 50% më pak, sidomos për pajtimtarët që mbartin numrin nga një operator tjetër. Si rezultat, ka pasur një numër mjaft të lartë portimesh, ku pajtimtarët kanë përfituar nga ofertat me zbritje, gjë që ka ndikuar edhe të ardhurat e operatorëve nga ky treg.

Sipas AKEP, aplikimi i fushatave promocionale agresive, kryesisht për portimin e numrit nga njëri operator tek tjetri, në një periudhë afatshkurtër prodhon efekte pozitive për konsumatorët, por mund të sjellë pasoja të rënda për konkurrencën në afatin e gjatë. AKEP nënkupton se çmimet grabitqare mund të jenë një mekanizëm i abuzimit me fuqinë e tregut nga operatorët më të mëdhenj, me qëllim nxjerrjen jashtë tregut të operatorëve më të vegjël.

Në muajin prill të këtij viti, edhe Autoriteti i Konkurrencës ngriti dyshime se në tregun e telefonisë celulare po përdoren praktika të konkurrencës së pandershme, në formën e çmimeve grabitqare. Në vendimin zyrtar, AK vlerësonte se ofertat e shoqërisë Vodafone Albania, me një çmim më të ulët krahasuar me ato të dy shoqërive të tjera që operojnë në tregun e telefonisë celulare, ngrenë dyshim të arsyeshëm se ndodhemi përpara një sjellje me orientim drejt çmimeve grabitqare.

/Monitor

WWW.GAZETA.MK