Përkujtohet në vitin e dytë të vdekjes ish-presidenti egjiptian Morsi

Shoqata e Demokracisë “Morsi” zhvilloi konferencë nëpërmjet internetit për të përkujtuar në vitin e dytë të vdekjes Mohamed Morsin, presidentin e parë të zgjedhur me rrugë demokratike në Egjipt i cili u rrëzua nga detyra me një grusht ushtarak në vitin 2013, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga shoqata thuhet se në një konferencë të publikuar në faqen zyrtare të medias sociale të shoqatës, morën pjesë ish-presidenti i Tunizisë, Moncef Marzouki, imami i Mesxhid Al-Aksasë, Sheikh Ekrima Sabri dhe kleriku fetar anëtar i Këshillit Islamo-Kristian në Palestinë, Manuel Musallam.

Marzouki, në fjalimin e tij në konferencë tha se përkujtojnë martirizimin e ish-presidentit egjiptian Morsi duke e cilësuar atë si humbje për botën arabe dhe islame.

“Ndodhemi këtu për të vazhduar objektivat për të cilat ai jetoi dhe vdiq. Ne jemi krenarë me trashëgiminë e Morsit”, tha Marzouki.

Në mesazhin e dërguar nga familja e Morsit dhe që u lexua në konferencë nga gazetari Mohammed Jamal Hilal, u theksua se “Martiri Morsi për ne ishte një baba, lider frymëzues, një model dhe familje”.

Po ashtu në mesazhin e dërguar nga familja për të gjithë liderët dhe kryesisht për presidentin Recep Tayyip Erdoğan u shprehën falënderime për mbështetjen e tyre ndaj Morsit.

Shoqata e Demokracisë “Morsi” u themelua në qershor 2020 në Britani të Madhe nga familja Morsi me qëllimin për të mbrojtur vlerat demokratike.

Morsi, një vit pas fillimit të detyrës me betimin e bërë më 30 qershor 2012 në Egjipt, u rrëzua nga detyra e tij me një grusht ushtarak më 3 korrik 2013 nga Këshilli Ushtarak nën udhëheqjen e ministrit të Mbrojtjes të periudhës që u emërua nga vetë ai, Adel-Fattah al-Sisi. Morsi u dënua me vdekje më 16 qershor 2015 në gjykimin e njohur si “Bastisja e Burgjeve”.

Plotësisht pas 4 vitesh e një ditë nga dënimi me vdekje ndaj tij, Morsi ndërroi jetë më 17 qershor 2019 në sallën e gjyqit.



. .