Presidenti argjentinas irriton brazilianët: Ata kanë ardhur nga xhungla, ne nga anijet

Presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez, ka nxitur reagime të shumta në Twitter dhe një debat rajonal për racën me një koment rreth brazilianëve gjatë vizitës së kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez.

“Meksikanët erdhën nga indianët, brazilianët nga xhungla, por ne argjentinasit erdhëm nga anijet dhe ato ishin anije që erdhën nga Evropa”, tha presidenti Fernandez, duke iu referuar shumë imigrantëve evropianë që kishin ardhur në Argjentinë. Ai më vonë kërkoi falje për komentin dhe tha se diversiteti i vendit të tij është diçka me të cilin duhet krenuar.

Duket se presidenti e mori këtë frazë nga një këngë e këngëtarit lokal, Lito Nebbia, për të cilin presidenti në më shumë se një rast kishte deklaruar se e admiron, shkruan The Guardian.

Komentet e tij nxitën reagime të shumta në rrjete sociale. Shumë njerëz e kritikuan presidentin argjentinas për mungesë të ndjeshmërisë racore.

“Nuk pata për qëllim që të fyej askënd, në asnjë rast. Kushdo që është ndier i fyer apo i padukshëm, ofroj kërkimfalje”, tha Fernandez.

Eduardo Bolsonaro, kongresist dhe djali i presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, tha se komentet e presidentit argjentinas janë raciste. “Unë them se anija që është duke u përmbytur është ajo e Argjentinës”, deklaroi ai.