Presidenti libanez: Sulmet e Izraelit shkelin rezolutën e OKB-së

Libani është i përgatitur të mbrohet kundër sulmeve të Izraelit, të cilat janë në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 2006, tha presidenti libanez Michel Aoun, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim televiziv, presidenti tha se sulmet e Izraelit në jug të Libanit kanë shkelur edhe një herë Rezolutën 1701 të KS të OKB-së, e cila bën thirrje për ndërprerje të plotë të armiqësive dhe tërheqjen e Izraelit nga Libani jugor.

Aoun pohoi se Libani mbetet i gatshëm t’i përmbahet rezolutës dhe të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet nën mbikëqyrjen e OKB-së.

“Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë veten tonë, tokën tonë, ujin tonë dhe autoritetin tonë. Ne nuk do të bëjmë kompromise për këtë çështje”, tha ai.

Komentet e presidentit libanez vijnë pasi forcat izraelite bombarduan qytetin kufitar Kafr Shuba më 27 korrik për shkak të një “incidenti të sigurisë”.

Në të njëjtën ditë, Libani tha që do të paraqiste një ankesë zyrtare në KS të OKB-së.

Ushtria izraelite pretendoi se kishte “parandaluar një përpjekje infiltrimi nga Hezbollahu” në zonën Jabal Ros.

Megjithatë, Hezbollahu e mohoi pretendimin, duke thënë: “Nuk pati përleshje ose të shtëna nga ana jonë në ngjarjet që ndodhën sot në kufirin jugor në Liban, por përkundrazi, ishte vetëm një palë që ishte një armik i frikësuar, i shqetësuar dhe i tensionuar”.

Hezbollahu gjithashtu u zotua të kundërpërgjigjet ndaj vrasjes së një prej anëtarëve të tij në “agresionin izraelit” në kryeqytetin e Sirisë Damask javën e kaluar.

Kohët e fundit, Izraeli ka rritur numrin e trupave përgjatë kufijve të saj veriorë në pritje të sulmeve hakmarrëse nga Hezbollahu.