Rosela Gjylbegu: Pandemia shndërroi jetët tona, më mungon skena dhe njerëzit

Ajo këndon me gjithë shpirt muzikë të përgjedhur. Prej vitesh në skenë, një nga zërat më të dashur për publikun, e sprovuar nëpër festivale të ndryshme, Rosela Gjylbegu ngelet po ajo, e ëmbël, zemërngrohtë dhe një artiste me kuptimin e plotë të fjalës. Në një rrëfim për gazeta KOHA këngëtarja vjen mes dashurisë së saj për muzikën dhe mungesës që ndjen për aktivitetet kulturore, koncertet dhe eventet. Me shpresën në Zot, artistja ju përcjellë një mesazh dashamirësve të muzikës, për të qëndruar të fortë në betejën kundër pandemisë Covid 19. Rosela thotë se ka mjaft projekte për realizim, megjithatë shton se ka qenë kjo periudhë e vështirë, ajo që e ka stepur për lançimin e tyre. Gjylbegu shpreson për një të nesërme më të mirë dhe padiskutim te një lulëzim i artit, në përfundim të kësaj kohe të errët.

Rosela, si të gjeti viti 2021 meqë është hera e parë që takohemi për këtë vit?

Falë Zotit shëndosh e uroj të vazhdojë këshu. Këtë vit kuptuam që përveç shëndetit, s’kemi asgjë më të rëndësishme, të tjerat vijnë në plan të dytë.

A të duket edhe ty se kjo kohë ka vetëm një sezon artistik ose sezon bosh , shkak pandemia?

Unë mendoj që ky vit ka shndërruar jetët e secilit prej nesh, mënyrën e të menduarit, e të përjetuarit dhe uroj mos të zgjasë më tepër. Zbrazëtia, trishtimi, makthi i ka kapluar gjithë sferat e jetës, por mungesa e artit në të gjitha format e tij, veçanërisht muzikës, zë një boshllëk të madh jo vetëm tek ato që jetojnë me këtë profesion, por edhe tek publiku që e shijon.

 Çfarë po zihet në mendjen artistike të Rosela Gjylbegut?

Shumë gjëra dhe asgjë sepse jemi të kushtëzuar nga rrethanat e situata, të pasigurt për të nesërmen e duke u lutur për atë çka kemi…

Çfarë të mungon më shumë nga skena, këngët, eventet?

Më mungon jeta ime normale, gjërat më të vogla që në përditshmëri na dukeshin të parëndësishme, më mungojnë përqafimet, puthjet, udhëtimet, liria.

Muzika-Rosela-e ardhmja, si qëndron ky trinom?

Për momentin qëndron e tashmja shëndeti e kujdesi maksimal për ta jetuar këtë situatë me sa më shumë durim me shpresën që shumë shpejt do të themi ishte vetëm një ëndërr e keqe.

Një këshillë, një mesazh, çfarë ka zemra e Roselës në fund të kësaj interviste?

Mos humbni besimin në Zot, mos u dorëzoni, ruani veten e jini vigjilentë! Kjo nuk është një lojë, vlerësoni ato çka keni më të shtrenjtë në jetë e thojini çdo ditë sa shumë i doni.