Shpërthimi i Leclerc shkak për largimin e Vettel, zbulohet e ardhmja e pilotit gjerman?

Ditën e djeshme Sebastian Vettel dhe Ferrari njoftuan fundin e “dashurisë” së tyre, me pilotin gjerman që do të largohet nga skuadra italiane në fund të këtij viti, kohë kur i përfundon edhe kontrata e bashkëpunimit.

I ardhur në skuadrën italiane për të rikthyer titullin e munguar prej vitesh, Vettel nuk ia doli të bëjë këtë në 5 sezone me makinën Ferrari, herë për shkak të dominimit të Mercedes dhe herë për gabime të vetë gjermanit, që shpesh ka treguar se nuk e përballon presionin e madh pas shpine.

Vetë 4 herë kampioni i botës nuk pranoi të japë shumë detaje në lidhje me arsyet që dështuan negociatat për rinovimin e kontratës, por në fjalët e tij tha se disa gjëra që kanë ndodhur muajt e fundit, kanë bërë që palët të reflektojnë dhe të vendosin ndërprerjen e bashkëpunimit.

Në Itali janë të sigurt që pas dështimit të rinovimit të Vettel,fshihet pikërisht shpërthimi i francezit Leclerc, të cilit edhe vitin e kaluar drejtuesit “i kanë ngrënë hakun”, duke i diktuar strategji që favorizonin pilotin gjerman.

Megjithatë duket se te Ferrari këtë sezon kanë vendosur t’i japin prioritet pikërisht pilotit nga Monaco, Charles Leclerc dhe për këtë arsye, Vettel ka vendosur të mos rinovojë, pasi nuk do të mund të mësohej dot me një rol dytësor në skuadrën italiane.

Shumë pikëpyetje ka edhe mbi të ardhmen e gjermanit, që pas 4 titujsh kampionë radhazi dhe 5 sezonesh si lider te Ferrari, vështirë se do të pranojë të bëjë pilotin e dytë në ndonjë skuadër tjetër si Mercedes dhe Red Bull, ku prioriteti është mbi Hamilton e Verstappen.

Nga ana tjetër edhe firma për skuadra të tjera do të ishte e vështirë për t’u menduar, pasi përveç Ferrarit, Red Bull dhe Mercedes, të tjerat vështirë se do të jenë të afta të garojnë për titullin kampion, ndaj një pilot i rangut të Vettel nuk do të pranonte të kënaqej vetëm me pjesëmarrjen.

Në Gjermani pretendojnë që piloti mund të firmosë me Racing Point, që prej fillimit të vitit 2021 do të garojë nën emrin Aston Martin dhe ka planifikuar një rikthim të bujshëm, me një makinë konkurruese që do të synojë trofe.

Gjithsesi deri në fund të vitit ka ende edhe shumë kohë, e mbi të gjitha erdhe një sezon për t’u luajtur, ku Vettel do të provojë të lërë gjurmë te Ferrari, gjë të cilën nuk arriti ta bëjë për 5 sezonet e parë.