Specialja e kishte paralajmëruar Thaçin: Nëse përpiqesh të largohsh nga vendi do të arrestohesh menjëherë

Gjykata Speciale ka publikuar raportin e arrestimit të ish presidentit Hashim Thaçi dhe gjithë atë se çfarë kishte ndodhur që nga ngritja e aktakuzës e deri te vendosja e tij në qendrën e paraburgimit në Hagë. Presidentit Thaçi i ishte konfirmuar aktakuza me 4 nëntor pak pas orës 15:00.Thaçin e kishin takuar zyrtarë të Speciales duke e njoftuar për aktakuzën dhe urdhrin e arrestimit të tij.

“Pak pas orës 15:00, më 4 nëntor 2020, oficerët e sigurisë operative të SPO-së u takuan me Thaçin, i cili   ishte i informuar se aktakuza kundër tij ishte konfirmuar dhe lëshuar një urdhër për arrestimin e tij, por që po i jepej mundësia të paraqitej në orën 10:00 të mëngjesit vijues”, thuhet në raportin e arrestimit të Hashim Thaçit.

“Ai u këshillua që nëse, ndër të tjera, do të përpiqej të largohej nga vendi, ose të ndërmerrte ndonjë hap për të penguar drejtësinë ose ndërhyrë në dëshmitarët, ai do të arrestohej menjëherë”, thuhet tutje në raport. Thaçi i kishte raportuar zyrtarët e sigurisë së SPO-së për aktivitetin e tij të mbetur të datës 4 nëntor, derisa i kishte kërkuar atyre që të nesërmen të ketë mundësi të i drejtohet qytetarëve të Kosovës.

Në këtë raport është i detajuar i gjithë rrugëtimi i Thaçit për në Hagë. Aty tregohet se si Thaçi ka udhëtuar, është informuar mbi procedurat ligjore, është pajisur me mjete mbrojtëse anti-COVID, si dhe që iu kishte dhënë një pije freskuese në aeroplan. Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit më 5 nëntor, kur kishte njoftuar se ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.