Supa fantastike për humbje peshe

Ushqyerja e shëndetshme dhe rënia nga pesha janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Njeriu nuk mund të humbasë kilogramët e tepërt pa u ushqyer shëndetshëm dhe kjo arrihet shumë lehtë me produkte jo domosdoshmërisht të shtrenjta.

I tillë është shembulli i kësaj supe e cila është ideale për njerëzit që duan të ndërmarrin një regjim të shëndetshëm ushqimor në të mirë të peshës së tyre trupore. Kjo supë është tejet e pasur me vitaminat A dhe C por edhe fibër.

Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për metabolizmin dhe sistemin tretës në përgjithësi. Fibra të mban ngopur për më shumë gjatë por edhe ofron energji. Për më tepër, kjo supë ofron edhe shumë hekur, falë specit të kuq, dhe rekomandohet për njerëzit që vuajnë nga anemia. Supa e mëposhtme ofron pak kalori por shumë shëndet të mirë.

Përbërësit:

Një spec i kuq i prerë në copa

100 gramë patate të ëmbël të prerë në copa

1 qepë e prerë trashë

1 lugë çaji piper të zi

1 lugë çaji koriandër të freskët

2 thelpinj hudhër,

1 lugë gjelle vaj ulliri,

Kripë sipas dëshirës,

Ujë

Përgatitja:

Ngroheni lehtë vajin e ullirit në tenxhere dhe kaurdisni qepët dhe hudhrën. Më pas shtoni specin e kuq dhe pataten e ëmbël deri sa të zbuten lehtë. Më pas shtoni ujë dhe lërini të valojnë për pesë minuta.

Fikeni sobën dhe lëreni supën të ftohet lehtë. Më pas kalojeni në mikserin elektrik dhe përpunojeni derisa lëngu të jetë kremoz dhe i butë. Hidheni supën në tenxhere, shtoni kripë dhe piper dhe lëreni të marrë valë. Sipas dëshirës, ju mund të shtoni edhe më shumë ujë. Kur supa të jetë gati, shërbejeni në pjatat përkatëse dhe zbukurojeni me koriandër të freskët.