Vdekjet e para në Greqi dhe Algjeri, në Kroaci tre të infektuarit e parë lëshohen në shtëpi

Ministria e Shëndetësisë në Algjeri sot konfirmoi vdekjen e parë nga koronavirusi i ri.

“Pesë raste të reja të infeksionit me koronavirusin e ri janë regjistruar dhe njëri nga personat e infektuar ka vdekur”, tha Ministria, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 24.

Sipas ministrisë, shumica e personave të prekur me Covid-19 i përkasin një familjeje të vetme që u infektua nga një i afërm nga Franca që i vizitoi ata muajin e kaluar në provincën Blida.

Më 25 shkurt, Algjeria njoftoi rastin e parë të koronavirusit të një qytetari italian i cili më vonë u dërgua përsëri në vendin e origjinës.

Numri global i vdekjeve nga virusi ka tejkaluar shifrën prej 4.600 me mbi 124.500 raste të konfirmuara, njofton Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila e shpalli koronavirusin pandemi globale.

Greqia të enjten konfirmoi vdekjen e parë nga koronavirusi.

Viktima i moshës 66-vjeçare ishte shtruar në spital dhe kishte gjendje të përkeqësuar shëndetësore, raportoi e përditshmja greke “Ekathimerini”.

Numri i rasteve të prekur nga koronavirusi në Greqi u rrit në 99 të mërkurën pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli “pandemi globale”.

Më shumë se 4600 njerëz kanë vdekur nga virusi, me mbi 125,000 raste të konfirmuara në 114 vende, sipas OBSH-së.

Në Kroaci nuk ka raste të reja me koronavirus, tha ministri kroat i Shëndetësisë, Veli Berosh.

Duke folur për Radio-Televizionin e Kroacisë, Berosh tha po ashtu se testet e tre pacientëve të parë që janë konfirmuar me koronavirus më 25 dhe 26 shkurt, kanë dalë negative.

“Nëse edhe analizat e tjera që pasojnë dalin negative, ata do të lëshohen për kujdes shtëpiak brenda 48 orësh”, tha Berosh.

Në Kroaci, deri më tash, 19 persona janë infektuar me koronavirus.

Ministri kroat i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq, tha se aktualisht, në qytetin e Splitit, 28 persona ndodhen në karantinë, ndërsa në Dubrovnik dy të tjerë.
Koronavirusi, që është një familje e gjerë virusesh, besohet se e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës.

Rastet e parë atje janë shfaqur në muajin dhjetor, ndërsa më pas janë përhapur edhe në dhjetëra vende të botës.

Sipas shifrave të fundit, mbi 4,600 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi.

Në të gjithë botën, numri i të infektuarve ka arritur në mbi 126 mijë.

Nga vendet e Ballkanit, aktualisht vetëm Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë raste të regjistruara me koronavirus.