Vëllai vret motrën në Shkodër

Diana Vuka, 58 vjeçe u gjet e pajetë orët e vona të kësaj të diele në shtëpinë ku banonte, në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër.

Burime paraprake për Klan News, raportojnë për një krim makabër… Viktima dyshohet se ishte vrarë rreth 3 ditë më parë dhe autori i kësaj ngjarjeje të rëndë është vëllai i saj, Fabian Vuka, 55 vjeç, i cili u arrestua nga policia.

“Rreth orës 22:30, në lagjen “Ndoc Mazi”, Shkodër, në banese është gjetur e pa shenja jete shtetasja D. V. 58 vjeçe. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga vëllai i saj shtetasi F. V., 55 vjeç, i cili është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes“, tha Policia e Shkodrës në një njoftim për mediat.

Burime për Klan News thonë se mes palëve kishte pasur konflikte herë pas here, ndërsa autori dyshohet se vuante nga depresioni. Viktima jetonte mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Ajo kishte pak ditë që ishte kthyer në vendlindje.