Vritet gazetarja në një ndër vendet më të rrezikshme për mediat

Derisa Maria Elena Feral, korrespondente e gazetës ditore “Diario de Ksalapa”, ka qenë duke hyrë në makinën e saj, kur dy të panjohur në motoçikletë hapën zjarr ndaj saj, ndërsa më pas ikën nga vendi i ngjarjes, deklaroi një burim policor. Vrasja ka ndodhur sot në qytetin meksikan Papanta, vend i cili është më i rrezikshëm për ushtrim të këtij profesioni.

“Edhe përkundër përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, ndjejmë keqardhje të thellë, kur morëm vesh se para disa minutash gazetarja Maria Elena Feral ndërroi jetë”, shkroi në Tuiter guvernatori i shtetit Verakruz, Kuitlauak Garsia.

Meksika është një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, me mbi 100 të vrarë prej vitit 2000 e deri më tani.

“Autoritetet duhet urgjentisht të nisin hetim për këto ngjarje dhe të sigurojnë mbrojtje për familjen dhe kolegët e saj”, theksoi Baltina Flores nga organizata ndërkombëtare “Reporterë pa kufij”.