Zekiri: Ka gjasa që Kasami të jetë bartës në njësinë nr 6

Edhe përkundër toneve të ashpra të cilat ditëve të fundit i drejtuan mes vete LSDM-ja dhe BDI-ja, megjithatë situata po qetësohet dhe nuk përjashtohet mundësia që të dy partitë, nëse fitojnë në zgjedhjet e ardhshme, sërish si partnerë koalicioni ta formojnë Qeverinë e re. Më i zëshmi në kritikat kundër partisë së Ali Ahmetit është nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zekiri.

Edhe përkundër kësaj, ai dje tha se ka gjasa të hyjnë në koalicion me BDI-në, por vetëm nëse ajo reformohet.

“Patjetër numrat…. nuk ishte edhe diçka e gëzueshme që nga qershori i vitit 2017 ishin me ne…. numrat kërkonin një gjë të tillë. Ata ishin, siç e them unë, “e keqja e domosdoshme” që gjithmonë deri më tani të jenë me ne. Ata kanë nevojë për pastrim të brendshëm me kuadro dhe njerëz që do të ofrojnë diçka të re. Por, mendimi im është se ka ardhur koha që një parti si BDI, e cila për kaq vite ishte në pushtet, të ndjejë pak se si është të jesh në opozitë”, deklaroi Zekiri.

Vllatko Gjorçevi nga VMRO-DPMNE-ja thotë se partia e tij është e gatshme të hyjë në koalicion me një subjekt shqiptar, por vetëm pas zgjedhjeve.

“Po, VMRO-DPMNE-ja është e gatshme të koalicionojë me parti shqiptare, por ajo që duhet ta shohim në ndërkohë, e që është gjëja më e rëndësishme është rezultati zgjedhor. Domethënë, në atë pjesë negociatat për koalicion do të zhvillohen pas zgjedhjeve, siç ka qenë vite të tëra deri tani”, deklaroi Vllatko Gjorçev.

Zekiri tha se listat e LSDM-së dhe Besës do të mësohen nga e hëna dhe se ka gjasa që Bilal Kasami të jetë bartës në Njësinë Zgjedhore numër 6. Lidhur me mundësinë që edhe PDSH-ja të figurojë në listat, Zekiri porositi se partia e tij është e hapur për bisedime. I pyetur nëse ai do të jetë bartës i listës, Gjorçevi e shmangi përgjigjen, duke thënë se nuk është me rëndësi se kush ku do të gjendet në listat zgjedhore.

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike për koalicion të mundshëm parazgjedhor. Mbesin edhe disa ditë, para mbajtjes së Kongresit, nëse gjejmë gjuhë të përbashkët, atëherë dera është e hapur, pra nëse gjejmë gjuhë të përbashkët për t’i harmonizuar programet tona”, deklaroi Muhamed Zekiri.

“Do të dimë ditëve në vijim. Gjëja më e rëndësishme është që të demontohet dhe të largohet regjimi hibrid i Zoran Zaevit. Se kush në cilin vend do të jetë, në cilën Njësi zgjedhore, absolutisht nuk ka rëndësi të madhe, pothuajse është e parëndësishme. Kështu që, prioriteti i këtyre zgjedhjeve është të kemi ndërrim të pushtetit”, tha Gjorçev.

Lidhur me atë se çfarë fushate na pret për këto zgjedhje, Gjorçevi siguroi se do të ketë fushatë të ashpër me shumë kritika në adresë së partisë në pushtet, kurse tha se edhe nga aktivitetet e tyre të deritanishme mund të shihet se ata do të përqendrohen në atë që do t’ua ofrojnë qytetarëve.