Një sulm i natës me bomba nga Rusia goditi qytetin verilindor ukrainas të Sumyt, ku njëra prej bombave ra pranë një ndërtese banimi. Të paktën katër persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
“Kjo është një nga zonat qendrore të qytetit të Sumyt. Është vend ku njerëzit dalin për shëtitje në mbrëmje”, raportoi nga vendi i ngjarjes, pak pas sulmit të vonë të 3 korrikut, korrespondentja e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Alyona Yatsyna.
Pamjet nga terreni tregonin vrima të mëdha në ndërtesën pesëkatëshe, ndërsa guvernatori rajonal, Serhiy Kryvosheyenko, njoftoi se disa banorë mund të strehohen përkohësisht në konvikte lokale.
Kryvosheyenko tha se në mesin e viktimave ishte edhe një fëmijë. Ai shtoi se gjashtë fëmijë të tjerë, dy prej tyre në gjendje të rëndë, ishin në mesin e 27 të plagosurve.
Sirenat e alarmit ajror vazhdonin të dëgjoheshin në Sumy edhe në mëngjesin e 4 korrikut, ndërsa kanalet lokale të monitorimit raportuan se forcat ruse kishin lëshuar dronë Shahed drejt qytetit, në kohën kur ekipet e emergjencës vazhdonin të pastronin rrënojat.
Bombardimi i Sumyt ndodhi vetëm dy ditë pas një sulmi shkatërrues rus ndaj Kievit, ku u vranë 30 persona dhe u plagosën afro 100 të tjerë. Ai ishte sulmi më i madh ndaj kryeqytetit ukrainas këtë vit dhe u përshkrua nga banorët vendas si “një makth”.
Sulmet me dronë dhe raketa shkatërruan dhe dëmtuan shtëpi, ndërsa rrugët mbetën të mbuluara me xhama të thyer, pemë të djegura dhe automjete të shkrumbuara.
Kievi mban zi për viktimat e sulmit të madh rus
Sulmi masiv rus me dronë dhe raketa gjatë natës së 2 korrikut përfshiu nga flakët Kievin, duke lënë zona të tëra të kryeqytetit ukrainas të mbuluara me xhama të thyer, pemë të djegura dhe automjete të shkatërruara.
Banorja Olha vizitoi vendin e ngjarjes në lagjen Darnytskiy së bashku me fëmijët e saj. Ajo kishte jetuar më parë në ndërtesën shumëkatëshe që tani ishte pjesërisht e shkatërruar nga sulmet.
“Ishim këtu vetëm të dielën. Fëmija im i vogël po luante në luhatëse”, i tha ajo Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, duke u përpjekur të përmbante lotët.
Ajo tha se familja e saj ishte shpërngulur nga ajo ndërtesë një vit më parë dhe se fëmijët e saj kishin lindur aty, në katin e gjashtë.
Deri më 3 korrik, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, trupat e 10 personave të vrarë në sulm ishin nxjerrë nga rrënojat e ndërtesës.
Disa banorë sollën lule dhe lodra në vendin e tragjedisë.
Olha tha se njihte shumë prej fqinjëve që jetonin në ndërtesë, përfshirë një burrë që humbi jetën në sulm.
“Burri im fliste shpesh me të”, tha ajo me vështirësi. “Është një makth.”
Sulmi rus i 2 korrikut ndaj Kievit shkaktoi shkatërrimet më të mëdha në qytet gjatë këtij viti dhe ishte sulmi më vdekjeprurës në muajt e fundit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërpreu vizitën e tij në Irlandë për t’u kthyer në Ukrainë. Ai tha se ishin raportuar dëme në më shumë se 20 lokacione në kryeqytet, përfshirë një stacion të autoambulancës, një institut kërkimor dhe një hotel.
Më 3 korrik, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave vazhdoi operacionet për pastrimin e rrënojave dhe kërkimin e të mbijetuarve. Punimet vazhdonin në të paktën tri lokacione të tjera në lagjen Darnytskiy.
“Çdo ditë dhe çdo natë, rusët godasin infrastrukturën civile dhe terrori është argumenti i vetëm që u ka mbetur për të mos e ndalur luftën”, shkroi Zelensky në rrjetin X më 3 korrik.
Ushtria ruse tha se sulmi ishte përgjigje ndaj “akteve terroriste” kundër “infrastrukturës civile” ruse, në një kohë kur Ukraina kishte ndërmarrë prej javësh sulme me dronë ndaj rafinerive ruse të naftës.
Kjo fushatë ka shkaktuar mungesa karburanti në mbarë Rusinë dhe ka nxitur pakënaqësi mes qytetarëve rusë, të cilët deri tani kishin qenë kryesisht të paprekur nga lufta, tashmë në vitin e saj të pestë.
Zelensky kërkon më shumë presion ndaj Rusisë
Pas sulmeve të fundit në Ukrainë, presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje më 4 korrik për rritjen e presionit ndaj Moskës “në mënyrë që ky terror të marrë fund.”
“Ata që Rusia do t’i dëgjojë, pa asnjë dyshim, janë Shtetet e Bashkuara, vendet e tjera të G7-ës dhe G20-ës, si dhe Evropa”, shkroi Zelensky në X. Ai pritet të marrë pjesë javën e ardhshme në samitin e NATO-s në Ankara.
Pas sulmit ndaj Kievit, ushtria ruse deklaroi se operacioni ishte përgjigje ndaj “akteve terroriste” kundër “infrastrukturës civile” ruse, ndërsa prej javësh Ukraina po godet me dronë rafineritë ruse të naftës.
Kjo fushatë ka shkaktuar mungesa karburanti në gjithë Rusinë dhe ka shtuar pakënaqësinë mes qytetarëve rusë, të cilët deri vonë kishin mbetur kryesisht të paprekur nga lufta e gjithanshme e vendit të tyre kundër Ukrainës, tashmë në vitin e pestë.
Zelensky u zotua se Ukraina do t’u përgjigjet sulmeve të fundit.
Herët në mëngjesin e 4 korrikut, guvernatori i qytetit të dytë më të madh të Rusisë, Shën Petersburgut, Aleksandr Beglov, njoftoi në Telegram se zona ishte shënjestruar nga një sulm i madh ukrainas me dronë.
Megjithëse Beglov nuk specifikoi objektivin e sulmit në qytetin, që ndodhet rreth 800 kilometra larg kufirit me Ukrainën, kanale ruse dhe ukrainase në Telegram publikuan pamje që tregonin kolona tymi duke u ngritur nga një terminal lokal i naftës.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ushtria kishte rrëzuar qindra dronë gjatë natës.
Përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump kanë ngecur muajt e fundit, ndërsa Uashingtoni është përqendruar te lufta me Iranin dhe trazirat në Lindjen e Mesme.
Kievi dhe Moska mbeten larg njëra-tjetrës sa u përket kushteve për negociata, ndërsa Kremlini vazhdon të mbajë qëndrimin e tij të ashpër dhe nuk ofron asnjë kompromis ndaj kërkesës për kontroll të plotë mbi rajonin kyç të Donbasit, në lindje të Ukrainës./REL
