Më 6 korrik 1946, në spitalin e Prizrenit, ndërroi jetë i helmuar nga OZNA serbe (Shërbimi Sekret Ushtarak i Jugosllavise, lexo: Serbisë) Bedri Pejani, një prej figurave me kontribute madhore në Lëvizjen kombëtare shqiptare.
Bedri Pejani ishte firmëtar (nënshkrues) i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipnisë, deputet në Parlamentin shqiptar pas Kongresit të Lushnjës dhe sekretar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
Ai përshtati në shqip kujtimet e Hasan Prishtinës nga frëngjishtja, ndërsa deri në vdekje mbeti besnik i idealeve të Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit.
Në Luftën e Dytë Botnore (LDB) ai parashihte se rreziku kryesor kombëtar ishte boshti çetniko-partizan serbo-malazez dhe parashikimi i tij rezultoi profetik.
Në këto kushte, ai drejtoi “Lidhjen e Dytë të Prizrenit.* me synim kryesor ruajtjen e kufijve etnik të shtetit shqiptar.
Petro Marko, në librin e tij “Retë dhe Gurët”, shkruan se u trondit nga takimi i tij i fundit me Bedri Pejanin në Shkodër, kur ky i fundit i rrëfeu për masakrat e llahtarshme të partizano-çetnikëve serbo-malazezë në Kosovë dhe viset shqiptare.
Bedri Pejani u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në Shqipni dhe iu dorëzua Beogradit me një akt të pashembullt tradhtie kombëtare.
Nuk ka një rast të dytë kur një shtet ia dorëzon një ndër themeluesit e tij një shteti që kryen gjenocid dhe spastrim etnik në pjesën e kombit të mbetur jashtë kufijve administrativë.
Enver Hoxha dhe lakejtë e tij e dinin se Beogradi nuk do ta kursente për asnjë arsye Bedri Pejanin, një prej kundërshtarëve të tij ma të paepur.
*Në foto: Bedri Pejani duke mbajtë një fjalim në krahinën e Lumës në vitin 1944.
*Status facebook’u i intelektualit dhe veprimtarit nga Shqiperia, z.Besmir Lushaj
