Koalicioni VLEN, pas mbledhjes së sotme të kryesisë qendrore, ka reaguar për zhvillimet e fundit politike, duke theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë, komunikimi institucional dhe bashkëpunimi ndërshqiptar nuk duhet të shndërrohen në viktimë të interesave të ngushta partiake, raporton Zyrtare.
Në komunikatën e saj, VLEN vlerëson se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në rajon kanë nevojë për më shumë unitet, besim dhe përgjegjësi të përbashkët. Sipas koalicionit, çdo përpjekje për “spiunim, dezinformim, insinuata politike apo cenim të marrëdhënieve ndërshqiptare” është e dëmshme dhe në kundërshtim me interesin e shqiptarëve.
VLEN akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se, në mungesë të rezultateve dhe vizionit, po përpiqet të krijojë mosbesim dhe konfuzion përmes, siç thuhet, “konstruksioneve të orkestruara”.
“Kjo nuk është patriotizëm. Kjo është nervozë politike e shndërruar në dëm për interesin e përbashkët të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Koalicioni thekson se respekton Ambasadën e Republikës së Shqipërisë si institucion dhe çdo komunikim institucional ndërmjet dy shteteve, duke nënvizuar se institucionet janë më të mëdha se politika ditore dhe se marrëdhëniet ndërshtetërore nuk duhet të reduktohen në interesat e individëve apo grupeve partiake.
Në fund të komunikatës, VLEN shprehet se do të vazhdojë komunikimin institucional dhe bashkëpunimin me Shqipërinë në interes të shqiptarëve, qytetarëve dhe stabilitetit rajonal, duke shtuar se nuk do të lejojë që interesat politike të individëve të jenë mbi interesin e shqiptarëve.
“Shqiptarëve u duhet unitet, jo intriga. U duhet bashkëpunim, jo kurthe politike. U duhet e ardhmja, jo politika e vjetër e frikës, përçarjes dhe spiunimit”, përfundon komunikata e VLEN-it.
