Një shtetas shqiptar 40-vjeçar është arrestuar më 8 korrik në pikën kufitare “Deve Bair”, pasi gjatë kontrollit të një kamioni “Volvo” me targa shqiptare, të cilin e drejtonte, policia ka gjetur 24 pako me marihuanë, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Policisë së Maqedonisë së Veriut, personi në fjalë po largohej nga Maqedonia e Veriut.
“Më 08.07.2026, në orën 20:00, në Pikën Kufitare “Deve Bair”, në dalje nga shteti, zyrtarë policorë e privuan nga liria Ç.A. (40) nga Republika e Shqipërisë, pasi gjatë kontrollit kufitar dhe kontrollit të një automjeti transportues “Volvo” me targa të Shqipërisë, të cilin ai e drejtonte, në kabinën e tërheqësit u gjetën dhe u konfiskuan 24 paketime me marihuanë. Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa Ç.A. është mbajtur në stacion policor për procedurë të mëtejshme”, thonë nga MPB.
