Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut në Ohër, ku një person ka humbur jetën pasi, sipas policisë, gjatë kontrollit të një automjeti ka gëlltitur një pako me lëndë narkotike.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 22:30 në bulevardin “Turisticka” në Ohër është ndaluar personi me inicialet I.M. (32) nga Ohri. Ai, duke drejtuar një automjet të tipit “Range Rover” me targa çeke, nuk ka ndaluar pas urdhrit të patrullës policore, por ka tentuar të largohet. Pas masave të ndërmarra nga policia, automjeti është ndalur.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë vërejtur në automjet edhe personin me inicialet S.P. (44) nga Ohri, i cili menjëherë ka gëlltitur një pako me lëndë narkotike. Pas kësaj, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, njofton Pa Censurë.
Policia ka thirrur menjëherë Ndihmën e Shpejtë, me të cilën 44-vjeçari është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Ohrit. Megjithë përpjekjet mjekësore, ai ka ndërruar jetë.
“Me urdhër të prokurorit publik, sot do të kryhet obduksioni në Spitalin e Përgjithshëm të Manastirit”, ka bërë të ditur zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski.
Me udhëzim të prokurorit publik, po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
