Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të partive opozitare, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i ekzekutivit, Arlind Manxhuka.
“Sot në mëngjes kryeministri [në detyrë] Kurti ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës”, tha Manxhuka.
Letra e Kurtit drejtuar Bedri Hamzës të PDK-së, Lumir Abdixhikut të LDK-së dhe Adrian Gjinit të Aleancës vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur të tri partitë lidhur me atë se si do t’i përgjigjen ftesës së Kurtit dhe është në pritje të përgjigjeve.
Muaj më parë, si Hamza ashtu edhe Abdixhiku ishin takuar disa herë me Kurtin për çështjen e presidentit, por ato takime nuk prodhuan ndonjë rezultat.
Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.
Me certifikimin e rezultateve nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, e cila më pas do të duhet të zgjedhë ekzekutivin e ri dhe presidentin e Kosovës.
Meqë LVV-ja duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk pritet që këto dy procese të hasin në pengesa, pasi për të dyja këto kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.
Duke pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë votat për këtë proces nuk pritet të jenë telash.
Megjithatë, një çështje tjetër mund ta mbajë vendin në krizë institucionale dhe politike: zgjedhja e presidentit të ri.
Zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ditë më parë i tha Radios Evropa e Lirë se partia në pushtet i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.
Për presidentin nevojitet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi në dy rundet e para të jetë i vlefshëm.
Në mungesë të një marrëveshjeje politike, kjo është e pamundur për secilën parti parlamentare.
Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.
Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025./REL
