Srebrenica përfaqëson një vulë të përhershme dhe të errët në ndërgjegjen e të gjithë njerëzimit, tha Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në përkujtimin e sotëm të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës në Dhomën Legjislative.
“Atë mëngjes, mijëra jetë humbën dhe fati i mijëra të tjerëve ndryshoi përgjithmonë. Srebrenica mbeti në kujtesë si një nga krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit, si dështimi më i madh i njerëzimit”, theksoi Gashi.
Kryetari i Kuvendit theksoi se përkujtimi i tragjedive të tilla nuk duhet të mbetet vetëm një ceremoni, por duhet të jetë një thirrje për reflektim, drejtësi dhe përgjegjësi morale.
“Obligimi ynë institucional dhe moral është të kujtojmë dhe t’u bëjmë homazh viktimave të Srebrenicës sepse kujtimi i tyre është një thirrje për të gjithë ne”, shtoi Gashi.
