Kështu përfundoi një i ri i cili u kap nga policia duke vozitur trotinet elektrik pa iu përshtatur rregullave në komunikacion.
Aksionet e shtuara të policisë, nga MPB thonë se vazhdojnë në të gjitha bulevardet kryesore të Shkupit dhe më gjerë ku të rinjtë bënin manovra të rrezikshme me trotinete elektrike. Qytetarët nga ana tjetër vlerësojnë se rregullat e reja ligjore janë të rrepta por shtojnë se ishte koha e duhur pasi janë shtuar aksidentet ku janë të përfshirën të miturit.
”Mendoj se janë pakës rigoroze por besoj se kur të bëhet një praktikë e ngasjes së këtyre mjeteve të transportit ndoshta do kemi edhe ndryshime tjera të ligjit por për këtë moment mendoj se ishte e nevojshme një gjë e tillë të behët,” tha një qytetar.
”Tërësisht mendoj se nuk do të mund t’i ndalin por mirë është kështu me shpejtësi të kufizuar dhe të mos i ngasin personat nën moshën 18 vjeçare,” tha një tjetër qytetar.
Gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar mbi 2.300 aksidente që përfshijnë trotinete elektrike, mopedë dhe motoçikleta, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e fundit më shumë se 100 persona kanë pësuar lëndime të rënda. Sipas rregullave të reja, ngasësit e trotineteve elektrike në vendin tonë duhet të jenë të paktën 18 vjeç. Shpejtësia maksimale e lejuar është 20 kilometra në orë dhe po ashtu ndalohet transportimi i një personi të dytë dhe ndalohet drejtimi nën ndikimin e alkoolit.
Në rast shkeljesh, si drejtimi nga të miturit, tejkalimi i shpejtësisë, transportimi i pasagjerit ose drejtimi në gjendje të dehur, policia ka të drejtë të konfiskojë trotinetin dhe të shqiptojë sanksionet e parashikuara me ligj. Për shkeljen e rregullave të reja mund të shqiptohen gjoba deri në 275 euro, si dhe konfiskimi i “mjetit të lehtë elektrik”, siç përcaktohet në ligj.
