Europa po përballet edhe këtë verë me flakët. Një valë zjarresh masive po përfshin jugun e kontinentit, ndërsa temperaturat ekstreme dhe erërat e forta po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë betejën.
Spanja, Portugalia, Franca dhe Greqia po përballen me një nga situatat më kritike të kësaj vere.
Mbi 19 mijë hektarë sipërfaqe janë shkrumbuar nga zjarret që vazhdojnë të përhapen me shpejtësi, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorë dhe turistë nga zonat e rrezikuara. Ekipet zjarrfikëse janë angazhuar në dhjetëra vatra aktive, ndërsa temperaturat që në disa zona kalojnë 40 gradë Celsius favorizojnë përhapjen e flakëve.
Situata mbetet veçanërisht shqetësuese në Greqi, ku përveç zjarreve, autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët për rrezikun e tymit toksik. Shërbimet e emergjencës u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura dhe të përdorin maska mbrojtëse në rast ekspozimi ndaj tymit, pasi cilësia e ajrit është përkeqësuar ndjeshëm.
Ndërkohë, në Spanjë dhe Portugali, flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe bujqësore, duke dëmtuar ekosistemet dhe infrastrukturën lokale. Pranë bregdetit verilindor të Kosta Bravës në Spanjë janë djegur më shumë se 2,200 hektarë në një zonë natyrore të mbrojtur gjatë dy ditëve të fundit.
Autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimin e situatës, ndërsa mijëra efektivë të mbrojtjes civile dhe zjarrfikës vazhdojnë operacionet për izolimin e vatrave më të rrezikshme.
Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit pritet të vazhdojë, çka rrit rrezikun për shpërthimin e zjarreve të reja. Për këtë arsye, autoritetet në vendet e prekura u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
