E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe miqësinë ndaj SHBA-së, duke deklaruar se nuk njeh asnjë shtet tjetër në botë që është më pro-amerikan se Kosova.
Në manifestimin festiv “Thank You USA”, të organizuar nga Kryeqyteti me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, Prattipati tha se ndihet e privilegjuar që po e shënon 250-vjetorin e pavarësisë amerikane pikërisht në Kosovë.
“Jam aq e emocionuar dhe e prekur nga mikpritja që kemi marrë këtë javë, këtë muaj dhe realisht gjatë gjithë kohës sime që kam qenë këtu. Më 28 korrik bëhen dy vjet që kur kam mbërritur në Kosovë dhe ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për mua që të festoj 250-vjetorin e Pavarësisë Amerikane këtu. Mendoj se jam një nga diplomatët më me fat në Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara që pata mundësinë ta festoj këtë përvjetor në Kosovë”, u shpreh ajo, shkruan Eo.
Prattipati tha se gjatë shërbimit të saj në vende të ndryshme të botës nuk ka parë një popull me afërsi më të madhe ndaj SHBA-së sesa qytetarët e Kosovës.
“Më keni dëgjuar ta them edhe më parë, por sonte e them me gjithë zemër. Nuk njoh asnjë shtet tjetër në botë – dhe kam shërbyer e jetuar në shumë vende – por Kosova me të vërtetë është shteti më pro-amerikan në botë. Populli i Kosovës, unë e njoh lojalitetin dhe lidhjet, ato janë të pashkatërrueshme. Respekti dhe afërsia që kam parë këtu janë të jashtëzakonshme. Kudo që kaloj, njerëzit më falënderojnë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë dhe kjo më ka prekur thellësisht”, tha ajo.
Diplomatja amerikane vlerësoi aktivitetet e organizuara në Kosovë për shënimin e 250-vjetorit të SHBA-së, duke thënë se ato janë dëshmi e një miqësie të sinqertë mes dy popujve.
“Gjithçka që keni bërë këtu në këtë vend për të nderuar Shtetet e Bashkuara më ka prekur jashtëzakonisht shumë. Kjo valë dashurie, afërsie, mirënjohjeje dhe falënderimi do të thotë shumë për Shtetet e Bashkuara dhe për mua personalisht. Të jem këtu për ta përfaqësuar vendin tim në një kohë kaq të veçantë është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Thjesht dua t’ju them faleminderit juve, popullit të Kosovës”, deklaroi Prattipati.
Ajo theksoi se edhe Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë dhe ia kthejnë Kosovës këtë besim e miqësi, duke kujtuar mbështetjen amerikane për shtetformimin e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara ia kthejnë këtë afërsi dhe lojalitet. Ne e dinim në vitin 1999 se Kosova ishte gati të bëhej shtet. E dinim edhe në vitin 2008 se kishte ardhur koha që Kosova të ishte një shtet i pavarur, sovran dhe multietnik, që të zinte vendin e saj në bashkësinë ndërkombëtare. E dinim se Kosova do të ishte një partner dhe aleat i Shteteve të Bashkuara, dhe ju e keni dëshmuar këtë në 18 vitet e fundit”, tha ajo.
Prattipati pranoi se mes dy vendeve ka pasur raste kur janë shfaqur mospajtime, por theksoi se ato nuk e kanë lëkundur partneritetin strategjik.
“Po, kemi pasur mosmarrëveshje dhe çështje ku ndonjëherë nuk jemi pajtuar, por në përgjithësi Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë bërë aq shumë së bashku. Kemi qenë partnerë, kemi ndarë vlera dhe kemi arritur gjëra të mëdha. Kemi parë Kosovën të rritet dhe kemi parë Kosovën të na mbështesë në disa nga çështjet më të rëndësishme në botë. Lidhjet tona po bëhen më të forta çdo ditë dhe çdo vit”, u shpreh ajo.
E ngarkuara me Punë e SHBA-së shprehu bindjen se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen edhe në të ardhmen.
“Shpresojmë që edhe në 250 vitet e ardhshme këto lidhje të vazhdojnë, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve mes dy qeverive, por për shkak të njerëzve si ju që jeni këtu sonte. Ne i shohim këto lidhje kulturore dhe njerëzore të rriten çdo ditë përmes programeve të shkëmbimit dhe bashkëpunimit, dhe kjo është garancia më e fortë për të ardhmen e miqësisë sonë”, shtoi Prattipati.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se miqësia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk festohet vetëm më 4 Korrik, por përfaqëson një vlerë që nderohet çdo ditë. Ai theksoi mirënjohjen e qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës për mbështetjen amerikane ndër vite.
“Prishtina dhe Kosova ju duan juve, i duan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe jo vetëm 4 Korriku, por ne në fakt festojmë miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë mirënjohës që ju kemi këtu. Të gjithë ne, natyrisht, do të dëshironim t’ju jepnim një moment me gjithë këtë publik të mrekullueshëm këtu që të na tregoni për kohën tuaj në Prishtinë, në Kosovë, dhe gjithashtu t’ju urojmë për 250-vjetorin”, tha Rama.
