Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur se gjatë muajit të kaluar dhe këtij muaji, rreth 30 nxënës kanë udhëtuar për të përfaqësuar Maqedoninë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës, ndërsa të gjitha kostot e pjesëmarrjes së tyre janë përballuar plotësisht nga shteti.
Ajo theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, së bashku me Qeverinë, për të dytin vit me radhë kanë siguruar financim të plotë për shpenzimet e udhëtimit dhe tarifat e regjistrimit për këto talente të reja, me qëllim që familjet e tyre të mos ngarkohen me shpenzime shtesë financiare.
“Kështu do të vazhdojë të jetë. Talentet tona meritojnë mbështetje të plotë për të përparuar, për të zhvilluar njohuritë e tyre dhe për të treguar se Maqedonia ka të rinj që konkurrojnë në mënyrë të barabartë me më të mirët në botë”, deklaroi Janevska.
Nga Ministria nënvizojnë se përkrahja për nxënësit që marrin pjesë në gara prestigjioze ndërkombëtare është pjesë e angazhimeve për të nxitur përsosmërinë në arsim dhe për të krijuar kushte që të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe ta përfaqësojnë vendin në nivelin më të lartë.
