Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka njoftuar për promovimin e Kodit të Sjelljes Etike për deputetët, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integritetit dhe përgjegjësisë në punën parlamentare.
“Përmes një ngjarje konstruktive, në Kuvend promovuam Kodin e Sjelljes Etike për deputetët, një dokument që e konsideroj si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integritetit, përgjegjësisë dhe kulturës politike.
Theksova se për mua, ky Kod nuk është thjesht një dokument i miratuar me sukses, por një zotim i përbashkët që debati politik të udhëhiqet nga argumenti, respekti dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve.
Duke qenë se ky proces është rezultat i dialogut, bashkëpunimit dhe konsensusit të të gjitha grupeve parlamentare, falënderova deputetët dhe grupet parlamentare për kontributin e tyre, si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë – Programin Zviceran për Mbështetje Parlamentare, NDI-në, OSBE-në dhe ODIHR-në për mbështetjen dhe ekspertizën e tyre gjatë këtij procesi.
Sfida jonë e radhës është ta zbatojmë këtë Kod në praktikë, çdo ditë, duke e bërë Kuvendin shembull të standardeve më të larta etike dhe demokratike”, ka shkruar Gashi.
