Pas dy ditësh përshkallëzimi ushtarak, situata në Lindjen e Mesme duket se po hyn në një fazë më të qetë, megjithëse tensionet mbeten të larta.
Irani vijoi deri të enjten mbrëma sulmet ndaj objekteve ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit, duke i cilësuar ato si kundërpërgjigje ndaj goditjeve të fundit të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara në jug dhe lindje të territorit iranian.
Sipas Gardës Revolucionare, objektivat e sulmeve ishin sistemet amerikane të mbrojtjes Patriot në Kuvajt, një strukturë ushtarake në Katar dhe një depo karburanti e ushtrisë amerikane në Bahrein.
Në të njëjtën kohë, mediat iraniane raportuan për shpërthime në disa zona të jugut të vendit, mes tyre edhe në Bushehr, ku ndodhet një nga centralet bërthamore të Iranit. Nga ana tjetër, zyrtarë amerikanë deklaruan se nuk janë regjistruar sulme të tjera gjatë orëve të fundit.
Raportimet ndërkombëtare bëjnë të ditur se administrata amerikane po përpiqet t’i japë përparësi rrugës diplomatike, ndërsa forcat e saj ushtarake mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm.
Edhe pretendimet e Teheranit për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit janë kundërshtuar nga ushtria amerikane, e cila këmbëngul se qarkullimi detar në këtë korridor strategjik nuk është ndërprerë.
