Anglia është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi e mposhti Norvegjinë me rezultat 2-1 pas kohës shtesë në një çerekfinale dramatike.
Norvegjezët kaluan të parët në epërsi në minutën e 36-të, kur Andreas Schjelderup e finalizoi një aksion të bukur dhe e mposhti Jordan Pickfordin, duke i ndezur shpresat e skuadrës së Ståle Solbakken.
Megjithatë, reagimi i Anglisë ishte i menjëhershëm.
Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Jude Bellingham i barazoi shifrat në 1-1, duke e rikthyer ekuilibrin para pushimit.
Pjesa e dytë solli raste në të dyja anët, ndërsa Norvegjisë iu anulua një gol pas ndërhyrjes së VAR-it për një faull të Erling Haaland në ndërtimin e aksionit.
Edhe Anglia e pati një gol të anuluar për pozicion jashtë loje, duke bërë që sfida të shkonte në vazhdime.
Hero i mbrëmjes u bë sërish Jude Bellingham, i cili në minutën e 93-të përfitoi nga një gabim i portierit Ørjan Nyland dhe e realizoi golin e dytë personal, duke e vulosur fitoren 2-1 të Anglisë.
Me këtë sukses, Anglia e siguron një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Argjentina ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Botës, pasi mposhti Zvicrën me rezultat 3-1 pas vazhdimeve, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në Kansas City.
Julián Álvarez ishte vendimtar për kampionët në fuqi, duke realizuar një gol spektakolar në vazhdime dhe duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij. Lautaro Martínez vulosi fitoren në sekondat e fundit, duke e bërë rezultatin përfundimtar të dukej më bindës sesa ishte në të vërtetë rrjedha e takimit.
Golin tjetër për Argjentinën e shënoi Alexis Mac Allister, pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Lionel Messi.
Zvicra arriti ta barazonte rezultatin në minutën e 67-të përmes Dan Ndoye, por ndeshja mori një kthesë të rëndësishme pak minuta më vonë.
Breel Embolo u ndëshkua fillimisht pas një dueli me Leandro Paredes. Pas rishikimit me VAR, gjyqtari vlerësoi se sulmuesi zviceran ishte rrëzuar para kontaktit dhe kartoni i verdhë iu dha atij për simulim. Meqë Embolo kishte marrë një tjetër karton më herët, ai u përjashtua nga loja dhe Zvicra mbeti me dhjetë futbollistë.
Ky vendim pritet të shkaktojë polemika, veçanërisht mes kritikëve që pretendojnë se Argjentina është favorizuar gjatë turneut.
Messi nuk arriti të shënonte, duke i dhënë fund serisë prej nëntë ndeshjesh radhazi me gol në Kupën e Botës, por vazhdon rrugëtimin drejt titullit të dytë botëror.
Në gjysmëfinale, Argjentina do të përballet me Anglinë të mërkurën në Atlanta. Anglia siguroi kalimin tutje pas fitores 2-1 ndaj Norvegjisë.
