Dy persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me armë zjarri gjatë festivalit të salsës në Toronto të Kanadasë.
Sipas Policisë së Torontos, ngjarja ndodhi në zonën e St. Clair Avenue, ku po zhvillohej festivali vjetor “Salsa në St. Clair”.
Autoritetet bënë të ditur se të shtënat ndodhën pas një shkëmbimi zjarri mes dy personave, ndërsa në vendngjarje u sekuestruan dy armë zjarri.
Në momentin e incidentit, në festival ndodheshin rreth 13 mijë persona. Policia ka ngritur tre skena krimi dhe vijon hetimet, ndërsa deri më tani nuk është arrestuar asnjë person.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, e cilësoi ngjarjen si tronditëse dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
Ndërkohë, kryeministri i Ontarios, Doug Ford, dënoi dhunën dhe kërkoi që autorët të vihen përpara drejtësisë.
Festivali “Salsa në St. Clair”, i cili këtë vit zhvilloi edicionin e 22-të, është një nga aktivitetet më të mëdha kulturore latine në Toronto dhe mbledh çdo vit mijëra vizitorë.
