Spanja është finalistja e parë e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Francën me rezultatin 2-0 në gjysmëfinalen e zhvilluar këtë të martë.
Skuadra e Luis de la Fuente konfirmoi formën e shkëlqyer edhe ndaj “Gjelave”, duke dominuar momentet kyçe të sfidës dhe siguruar një fitore të merituar që e dërgon në finalen e madhe të turneut.
Spanjollët kaluan në avantazh në minutën e 22-të. Pas një depërtimi të Lamine Yamal në zonë, Lucas Digne shkaktoi penallti dhe nga pika e bardhë Mikel Oyarzabal u tregua i saktë, duke mposhtur Mike Maignan për 1-0.
Franca provoi të reagojë, por nuk arriti të konkretizojë rastet e krijuara. Mundësinë më të mirë e pati Kylian Mbappé në fundin e pjesës së parë, por portieri Unai Simón ndërhyri në kohë.
Në pjesën e dytë, Spanja ishte sërish më e rrezikshme. Fillimisht Lamine Yamal u ndal nga Maignan në një situatë ballë për ballë, ndërsa në minutën e 58-të erdhi edhe goli që vulosi kualifikimin.
Pas një aksioni të ndërtuar bukur nga iberikët, Pedro Porro u gjend në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke dyfishuar shifrat në 2-0 dhe afruar Spanjën me finalen.
Me këtë fitore, Spanja siguron një vend në finalen e Kupës së Botës 2026, ndërsa Franca eliminohet në fazën gjysmëfinale pas një paraqitjeje nën nivelin e pritshmërive.
