Një tjetër histori suksesi vjen nga të rinjtë shqiptarë. Era Syla ka përfunduar me sukses studimet Master of Engineering in Electrical Engineering and Computer Science në Massachusetts Institute of Technology (MIT), një nga universitetet më prestigjioze në botë, shkruan albinfo.ch.
“Javën e kaluar diplomova në MIT me titullin Master of Engineering në Electrical Engineering and Computer Science. Jam jashtëzakonisht mirënjohëse për të gjithë ata që më mbështetën gjatë këtij rrugëtimi”, është shprehur ajo.
Era ka njoftuar gjithashtu se kapitulli i saj i ri profesional do të nisë në muajin gusht, kur do t’i bashkohet kompanisë amerikane Plaid si Software Engineer në zyrën e saj në New York.
“Jam e emocionuar që do t’i bashkohem ekipit të Plaid, ku pres të mësoj nga një ekip i jashtëzakonshëm, të ndërtoj produkte që ndihmojnë njerëzit dhe të vazhdoj të rritem si inxhiniere”, ka theksuar ajo.
Diplomimi në MIT përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike dhe është një dëshmi e potencialit të të rinjve shqiptarë që po shkëlqejnë në universitetet dhe kompanitë më prestigjioze në botë./Albinfo.ch
