Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës detare ruse, duke goditur 14 anije të Moskës në Detin e Azovit gjatë një operacioni me dronë.
Sipas mediave të huaja, Forcat e Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës kanë kryer sulmet gjatë natës së 12 korrikut, duke shënjestruar 10 anije cisternë dhe katër anije tragete.
Komandanti ukrainas Robert “Madyar” Brovdi deklaroi se gjatë një fushate njëjavore me dronë, nga 6 deri më 12 korrik, janë goditur gjithsej 90 anije ruse të llojeve të ndryshme. Sipas tij, objektivat përfshinin anije cisternë, rimorkiatorë, tragete dhe anije mallrash.
Zyrtarët ukrainas thanë se operacioni synon të dëmtojë linjat logjistike dhe transportin e karburantit që, sipas Kievit, mbështet operacionet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.
Ndërkohë, Rusia ka pezulluar përkohësisht transportin civil përmes Ngushticës së Kerçit dhe Kanalit të Transportit Detar Don-Azov pas një serie sulmesh me dronë ukrainas.
Situata në Detin Azov mbetet një nga pikat e përplasjes mes dy vendeve, ndërsa të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ndaj objektivave strategjikë që lidhen me furnizimet dhe infrastrukturën ushtarake.
