Maroku është zyrtarisht skuadra e parë që siguron një vend në fazën çerekfinale të Kupës së Botës, pas një triumfi të pastër dhe mbresëlënës 0-3 ndaj një prej vendeve organizatore, Kanadasë. Në një sfidë me intensitet të lartë dhe përplasje të forta fizike të luajtur në Houston, përfaqësuesja afrikano-veriore tregoi një pjekuri të lartë taktike, duke ndëshkuar pamëshirshëm gabimet e kundërshtarit në pjesën e dytë.
Ndonëse Kanadaja u përpoq të impononte ritmin e saj si vendase, djemtë e Walid Regragui qëndruan kompaktë dhe goditën në momentet më vendimtare të ndeshjes.
Pasi pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, fraksioni i dytë nisi me një ritëm krejt tjetër për marokenët.
Minuta e 50′ (0-1): Achraf Hakimi ekzekuton me mjaft inteligjencë një goditje dënimi, duke gjetur të lirë Azzedine Ounahin, i cili me një gjuajtje të saktë me të djathtën mposht portierin kanadez.
Minuta e 82′ (0-2): Në momentin kur Kanadaja po hidhej përpara në kërkim të barazimit, Maroku ekzekuton një kundërsulm model. Ylli i Real Madridit, Brahim Diaz, depërton mjaft mirë në zonë dhe pason për Ounahin, i cili nuk gabon për herë të dytë, duke “vrarë” përfundimisht shpresat e vendasve.
Minuta e 90+8′ (0-3): Në sekondat e fundit të shtesës, Soufiane Rahimi vulos mbrëmjen magjike duke shënuar golin e tretë pas një rrëmuje në zonë, duke ndezur festën legjitime të tifozëve afrikanë.
Statistika e ndeshjes: Me këtë dygolësh, Azzedine Ounahi shpallet njeriu i ndeshjes, duke konfirmuar se mbetet një nga shtyllat e këtij brezi të artë të Marokut.
Me këtë rezultat, Maroku pret biletën për në tetë më të mirat e botës, ku do të përballet me fituesin e çiftit Paraguai – Francë. Nga ana tjetër, Kanadaja e mbyll këtu rrugëtimin e saj në këtë Botëror historik si bashkëorganizatore, duke u larguar nga turneu me kokën lart për lojën e treguar.(INA)
