Inflacioni në Maqedoninë e Veriut vazhdon të ulet dhe mbetet nën nivelin e shumicës së vendeve të rajonit, tregojnë të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës. Në qershor të vitit 2026, krahasuar me muajin maj, kostoja e jetesës është ulur me 0.5 për qind, ndërsa çmimet me pakicë kanë shënuar rënie prej 0.8 për qind.
Ulja më e madhe mujore është regjistruar te transporti, ku kostot janë më të ulëta për 1.6 për qind, si dhe te ushqimet dhe pijet joalkoolike, ku çmimet janë ulur për 1.1 për qind. Nga ana tjetër, rritje e çmimeve është shënuar në kategoritë e rekreacionit, restoranteve dhe disa sektorëve të tjerë.
Në nivel vjetor, inflacioni në qershor arriti në 3.4 për qind, ndërsa çmimet me pakicë janë 3.6 për qind më të larta krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ushqimet po shtrenjtohen me ritëm më të ngadaltë
Analiza e të dhënave statistikore tregon se rritja e çmimeve të produkteve bazë vazhdon të ngadalësohet. Inflacioni te ushqimet dhe pijet joalkoolike është 2.5 për qind, ndërsa te veshjet dhe këpucët arrin 2.1 për qind.
Ndikimin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve e kanë pijet alkoolike, duhani dhe produktet e ngjashme, ku çmimet janë rritur me 9.3 për qind, si dhe transporti, me një rritje prej 6.2 për qind.
Analistët ekonomikë theksojnë se ngadalësimi i inflacionit nuk do të thotë se çmimet kanë ndaluar së rrituri, por se ato po rriten me një ritëm dukshëm më të ngadaltë krahasuar me vitet e kaluara.
Maqedonia e Veriut nën shumicën e vendeve të rajonit
Sipas të dhënave të disponueshme, Maqedonia e Veriut ka inflacion më të ulët se shumica e vendeve fqinje.
Inflacioni në qershor:
Maqedonia e Veriut – 3.4%
Greqia – 3.9%
Sllovenia – 3.6%
Kroacia – 4.5%
Bullgaria – 5.6%
Turqia – 32.11%
Në vendet e tjera të rajonit, sipas të dhënave të fundit:
Kosova – 6.8%
Bosnja dhe Hercegovina – 5.6%
Mali i Zi – 3.6%
Serbia – 3.5%
Shqipëria – 3%
Për krahasim, në qershor të vitit 2022, gjatë krizës globale energjetike, inflacioni në Maqedoninë e Veriut kishte arritur në 14.5 për qind. Treguesit më të fundit sinjalizojnë një stabilizim gradual të çmimeve dhe ulje të presionit mbi buxhetet familjare pas një periudhe me goditje të forta inflacioniste.
