Kumanovë, 13 korrik – Viktima – vajza nga Kumanovës që u dhunua nga tri vajza tjera – është 14 vjeçe, ndërsa vajzat që ushtrojnë dhunë janë të moshës 14, 16 dhe 19 vjeç. Videoja fillimisht është publikuar në rrjetin social Snapchat me mbishkrimin: “Kur të më shash, do hash dajak”.
Dhuna ka ndodhur rreth një muaj më parë. Tri vajzat kishin rënë dakord të takoheshin me viktimën, e cila ndodhej në shtëpinë e saj. Pasi u takuan, e dërguan në një objekt në qytet, ku e sulmuan.
Telefoni celular ishte vendosur në tokë dhe i drejtuar nga viktima për ta filmuar. Në videon dyminutëshe shihet se si e godasin me shuplaka dhe shqelma, ia tërheqin flokët dhe e fyejnë.
Viktima e ka denoncuar rastin në Stacionin Policor të Kumanovës vetëm dje.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se Policia e Kumanovës dhe Prokuroria janë duke punuar në rastin, por deri më tani nuk ka informacione nëse tri vajzat e dhunshme, identiteti i të cilave dihet, janë thirrur së bashku me prindërit e tyre për t’u marrë në pyetje në polici.
Ky është rasti i dytë i dhunës mes bashkëmoshatarëve gjatë këtij muaji.
Në komunën Aerodrom të Shkupit, viktimë ishte një vajzë 12-vjeçare. Në videon e publikuar shihej se si një grup më i madh të miturish, djem dhe vajza, i inkurajonin autorët të ishin edhe më brutalë.
Viktima u detyrua të gjunjëzohej, të lutej dhe të kërkonte falje, ndërsa më pas u godit me shuplaka, ndërkohë që të paktën disa telefona celularë të të miturve të pranishëm e filmonin ngjarjen.
Ky rast pret epilogun ligjor, pasi policia ka ngritur kallëzime penale ndaj dy të miturave për ushtrim dhune, ndaj dy të miturve të tjerë për incizim të paautorizuar dhe nxitje të dhunës, si dhe ndaj pesë prindërve të të miturve të denoncuar.
