Për ministra të rinj propozoj njerëz që vijnë me përvoja të ndryshme profesionale, por me të njëjtin detyrim – të punojnë me ndershmëri, përgjegjësi dhe me vetëdijen se çdo ditë që do ta kalojnë në detyrë u është dhënë nga populli dhe i përket popullit, porositi kryeministri Hristijan Mickoski sot në Kuvend, duke e shpjeguar para deputetëve propozimin për emërimin e ministrave të rinj në kuadër të rikonstruksionit të Qeverisë.
Mickoski tha se rikonstruimi i Qeverisë sjell energji të re, ritëm të ri dhe përgjegjësi edhe më të madhe.
“Gjatë dy viteve të fundit, shteti filloi sërish të ecë përpara. Filloi sërish të investojë. Filloi sërish të ndërtojë. Filloi sërish të krijojë besim. Filloi sërish të hapë mundësi. Por unë sot nuk qëndroj këtu për të thënë se e kemi përfunduar punën. Përkundrazi. Sot qëndroj para jush për të thënë se pjesa më e rëndësishme e punës sapo fillon. Sepse shtetet nuk ndërtohen për dy vjet. Ato ndërtohen ndër breza. Dhe çdo brez ka detyrimin të lërë pas një shtet më të mirë se ai që ka gjetur. Ky është detyrimi ynë. Ky është detyrimi i kësaj Qeverie. Dhe pikërisht për këtë arsye, sot para jush nuk qëndron vetëm propozimi për zgjedhjen e ministrave të rinj. Para jush qëndron një propozim për energji të re. Për ritëm të ri. Për një fazë të re në zhvillimin e shtetit. Për një Qeveri që nuk do të kënaqet me atë që është arritur, por do të jetë e etur për rezultate të reja. Jo se po heqim dorë nga kursi i deritanishëm. Por sepse duam që ky kurs të jetë edhe më i shpejtë edhe më efikas dhe edhe më i vendosur”, tha Mickoski.
Ai theksoi se në vitet që vijnë, Maqedonia do të përballet me mundësi të mëdha dhe ne nuk do të lejojmë që shteti të jetë sërish një shtet që vetëm i ndjek proceset, por do të jemi një shtet që do t’i udhëheqë ndryshimet në rajon.
“Politika është kalimtare, funksionet janë kalimtare, mandatet janë kalimtare, por shteti mbetet. Dhe për këtë arsye, çdo vendim i yni duhet të merret me vetëdijen se nuk e marrim vetëm për sot, por edhe për vitet që vijnë”, tha Mickoski.
Do të ketë sfida, kundërshtime dhe përpjekje që çdo sukses të minimizohet, ndërsa çdo problem të paraqitet si disfatë, por, theksoi, natyra e udhëheqjes shtetërore është ndryshe
“Udhëheqja shtetërore nuk i frikësohet kritikës. Nuk kërkon rrugë të lehta. Nuk merr vendime në varësi të faktit nëse ato do të jenë të popullarizuara nesër, por në varësi të asaj nëse do të jenë të drejta pas dhjetë vjetësh. Unë besoj thellësisht se kemi forcën për t’u bërë një shtet evropian i suksesshëm. Jo sepse dikush do të na e dhurojë atë të ardhme. Por sepse do ta meritojmë. Me punë, dije dhe disiplinë. Me institucione të ndershme dhe ekonomi të fuqishme. Me vetëbesim. Dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha, me besim në mundësitë tona”, tha Mickoski.
Thekson se nuk kërkon besim për individë dhe për një parti politike, por për vazhdimin e një procesi në të cilin, siç tha, shteti sërish do të ngritet në këmbë, në të cilin do t’i rindërtojmë themelet dhe në të cilin treguam se Maqedonia mund të ndërtojë, të krijojë dhe të fitojë përsëri. “Jam i bindur se vitet më të mira nuk janë pas nesh. Ato janë para nesh”, tha Mickoski.
Theksoi se pret që ministri i ardhshëm i Drejtësisë, për të cilin funksion është propozuar Jeton Shasivari, profesor universitar dhe ekspert i dëshmuar juridik, njohuritë, integritetin profesional dhe përvojën e tij akademike ta vë në shërbim të një qëllimi – krijimit të një sistemi gjyqësor në të cilin drejtësia nuk do të jetë privilegj, por rregull, ndërsa besimi i qytetarëve gradualisht do të rikthehet aty ku është i nevojshëm.
Agon Ferati, i cili është propozuar ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, siç tha, përvojën e tij profesionale e ka ndërtuar përmes projekteve evropiane, zhvillimit lokal dhe politikave publike.
“Shteti ynë ka qenë gjithmonë më i fuqishëm kur ka ditur t’i shndërrojë dallimet në përparësi. Prandaj pres që puna e tij të përqendrohet në forcimin e mëtejshëm të kohezionit, besimit dhe partneritetit ndërmjet të gjithë qytetarëve, sepse stabiliteti dhe uniteti janë parakusht për çdo përparim ekonomik dhe shoqëror”, tha Mickoski.
Sipas tij Borçe Serafimovskin, i cili është propozuar ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, e njeh mirë funksionimin e këtij resori. Para tij qëndron detyrimi për të vazhduar politikën e mbështetjes së fuqishme për bujqit, por edhe për të hapur një cikël të ri zhvillimor, në të cilin bujqësia maqedonase do të bëhet më konkurrente, më inovative dhe më rezistente ndaj sfidave bashkëkohore.
“Për ministër të Shëndetësisë propozoj Sasho Klekovskin. Shëndetësia nuk është vetëm një sistem institucionesh dhe procedurash. Shëndetësia është besim. Shëndetësia është ndjenja e sigurisë se, kur njeriu do jetë në situatën më të vështirë, shteti do të jetë pranë tij. Prandaj pres që reformat të vazhdojnë me energji të re, për të siguruar shërbime më cilësore, kushte më të mira për punonjësit shëndetësorë dhe trajtim dinjitoz për çdo pacient”, theksoi kryetari i Qeverisë.
Duke e spjeguar propozimin Gjoko Velkovski të jetë ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, theksoi se demografia nuk do të jetë më vetëm temë e konferencave shkencore ose e raporteve statistikore. Ajo po bëhet një nga çështjet më të rëndësishme shtetërore, ndërsa në Vetëqeverisjen lokale, ku ministër i ri do të jetë Ivan Stoillkoviqin tha se ka filluar cikli më i madh i investimeve për komunat. Për ministër të Kulturës dhe Turizmit e propozon Sedat Sulejmanin dhe pret që ky resor të jetë një nga nxitësit e ciklit të ri zhvillimor, sepse shtetet që dinë ta tregojnë historinë e tyre, dinë edhe si të krijojnë vlerë të re. Erxhan Demir është propozimi për ministrin pa portofol, ndërsa siç tha kryeministri në qeverisjen bashkëkohore, koordinimi është po aq i rëndësishëm sa edhe marrja e vendimeve. Shtetit i nevojiten institucione që do të funksionojnë si një sistem i vetëm dhe jo si ishuj të ndarë.
Mickosi theksoi se Maqedonia ka qenë gjithmonë më e fuqishme atëherë kur ka ditur të bashkohet rreth qëllimeve të mëdha.
“Prandaj, sot ju bëj thirrje që ta vazhdojmë këtë mision me më shumë urtësi sesa mendjemadhësi, ,e më shumë unitet sesa përçarje dhe me bindjen e palëkundur se detyrimi ynë më i madh nuk është ndaj këtij brezi politikanësh, por ndaj brezave të ardhshëm të qytetarëve të Maqedonisë. Le të thonë ata një ditë se kjo ishte koha kur Maqedonia besoi në vetvete. Koha kur ndaloi së kënaquri me pak dhe filloi të synonte qëllime të mëdha. Koha kur shteti nuk ishte vetëm një vend ku jetohej, por një ide në të cilën besohej sërish. Ky është vizioni që ofrojmë. Ky është detyrimi që marrim përsipër. Dhe kjo është e ardhmja për të cilën ia vlen të punojmë – së bashku”, tha kryeministri Mickoski pas fjalimit të të cilit filloi debati mbi propozimin për emërimin e ministrave të rinj.
Më parë, Kuvendi me propozim të Kryeministrit në kuadër të rikonstruksionit të Qeverisë, shkarkoi ministrat: të Drejtësisë – Igor Filkov, të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave – Cvetan Tripunovski, të Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive – Igor Stoilkoviq, të Shëndetësisë – Azir Aliu, të Turizmit dhe Kulturës – Zoran Lutkov, të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë – Fatmir Limani, të Vetëqeverisjes Lokale – Zlatko Perinski, si dhe Shaban Saliu nga pozicioni i Ministrit pa Portofol. U shkarkuan edhe zëvendësministrat për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini dhe për Kulturë dhe Turizëm, Gjoko Velkovski dhe Sedat Sulejmani.
