Zvicra ka shkruar një kapitull të ri të historisë së saj në Kampionatin Botëror, duke eliminuar Kolumbinë pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 4:3 dhe duke siguruar një vend në çerekfinale.
Kapiteni Granit Xhaka dhe Ardon Jashari e nisën ndeshjen nga minuta e parë, ndërsa Jashari u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 46-të. Xhaka udhëhoqi skuadrën me përvojën e tij, ndërsa zviceranët treguan lojë të mirë përballë një Kolumbie shumë të fortë.
Zvicra – Kolumbia 0:0 – 4:3
Stadiumi “BC Place”, Vancouver.
Shikues: 54.000.
Gjyqtar: I Barton (Salvadori).
Kartona të verdhë: Xhaka, Zakaria, Muheim – Suarez, Sanchez .
Zvicra; Kobel, Zakaria (Widmer 87′), Elvedi, Akanji, R. Rodriguez (Muheim 71′), Xhaka, Freuler, Ndoye (Vargas 90+2′), Jashari (Sow 46′), Rieder (Amdouni 103′) dhe Embolo (Itten 86′).
Kolumbia: Vargas, Munoz, D. Sanchez, Lucumi (Mina 119′), Mojica, Lerma (Rios 82′), Puerta, J. Arias (Campaz 66′), Rodriguez (Quintero 66′), Luis Suarez (Hernandez 82′) dhe Luis Diaz.
Në çerekfinale, Zvicra do të përballet me Argjentinën.
Ndeshja ishte shumë e luftuar dhe përfundoi pa gola pas 90 minutave të rregullta. As dy vazhdimet nga 15 minuta nuk sollën fitues, duke bërë që gjithçka të vendosej nga pika e bardhë.
Kolumbia rrezikoi e para në minutën e 21-të, kur Gustavo Puerta provoi me një goditje të fortë nga jashtë zonës, por portieri Gregor Kobel reagoi shkëlqyeshëm duke devijuar topin në këndore.
Në minutën e 30-të, Fabian Rieder pati një mundësi të artë për Zvicrën, por Camilo Vargas bëri një pritje vendimtare. Vetëm tre minuta më vonë, Dan Ndoye doli i vetëm përballë portierit kolumbian, por goditja e tij ishte e dobët dhe Vargas e kontrolloi pa vështirësi.
Në minutën e 48-të, Djibril Sow u gjend në një pozitë ideale brenda zonës, por rrëshqiti në momentin e goditjes dhe humbi rastin.
Tre minuta më vonë, Granit Xhaka u ndëshkua me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të ashpër, ndërsa në minutën e 53-të Fabian Rieder provoi nga goditja e lirë, por topi përfundoi pranë shtyllës së djathtë.
Në vazhdime u krijuan disa raste të pastra. Në minutën e 99-të, Jhon Lucumí ishte shumë pranë golit për Kolumbinë, por goditja e tij me kokë u ndal nga traversa. Dy minuta më vonë, Jaminton Campaz provoi nga distanca, por Gregor Kobel realizoi një tjetër pritje spektakolare.
Në minutën e 104-t, Zeki Amdouni ishte pranë golit me prekjen e tij të parë të topit, por Camilo Vargas reagoi në mënyrë të shkëlqyer. Në minutën e 114-të, Granit Xhaka provoi nga rreth 17 metra, por topi përfundoi mbi portë.
Katër minuta para fundit të vazhdimeve, Xhaka gaboi në ndërtimin e aksionit dhe i dha mundësi Jaminton Campazit të rrezikonte seriozisht, por goditja e kolumbianit përfundoi mbi traversë, duke shpëtuar Zvicra.
Penalltitë rezultuan vendimtare. Zviceranët u treguan më të saktë dhe triumfuan me rezultat 4:3, duke siguruar kualifikimin e madh në çerekfinalen e Kampionatit Botëror, ku i pret sfida ndaj Argjentinës.
Për Kolumbinë shënuan: Quintero, Campaz, Diaz, e dështuan Sanchez (traversa), Hernandez (e mbron portieri); për Zvicrën realizuan: Xhaka, Amdouni, Itten, Vargas; dështoi Akanji (mbi portë).
