Partia Demokratike në Bujanoc ka konfirmuar se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke kërkuar që subjektet politike shqiptare të ndërtojnë një qasje të përbashkët jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për të ardhmen politike të Bujanocit.
Ky qëndrim është marrë në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, të mbajtur më 22 shtator, ku është vlerësuar se pjesëmarrja në zgjedhje paraqet përgjegjësi politike dhe qytetare, përmes së cilës shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të artikulojnë kërkesat dhe të mbrojnë interesat e tyre.
PD thekson se uniteti që synohet të ndërtohet për zgjedhjet parlamentare nuk duhet të përfundojë më 25 tetor, por të shërbejë si bazë për një bashkëpunim më të qëndrueshëm ndërmjet subjekteve shqiptare edhe në nivelin lokal në Bujanoc.
Sipas kësaj partie, për një unitet të tillë nevojitet dialog i sinqertë dhe gatishmëri e të gjitha subjekteve për të tejkaluar interesat e ngushta partiake dhe individuale.
“Uniteti politik duhet të jetë i barabartë në parim, i qëndrueshëm në veprim dhe i dobishëm për qytetarët”, thuhet në komunikatën e PD-së.
Partia Demokratike ka bërë të ditur se mbetet e hapur për diskutim, konsultim dhe bashkëpunim me të gjitha subjektet politike shqiptare, me synimin për të ndërtuar një qasje të përbashkët për shqiptarët në Bujanoc dhe Luginën e Preshevës./LUGINALAJMI/

