Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen më 25 tetor, ndërsa partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës vazhdojnë bisedimet për mundësinë e krijimit të një liste të përbashkët.
Pas takimit të përfaqësuesve politikë shqiptarë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pritet që ditët në vijim të intensifikohen përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet partive shqiptare.
Partia për Veprim Demokratik (PVD), gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, ka nominuar kryetarin e saj, Shaip Kamberi, për kandidat për deputet popullor. PVD njëkohësisht ka ftuar partitë e tjera shqiptare që të bashkohen në një koalicion parazgjedhor.
Ndërkohë, dy shqiptarë nga Presheva, Fatlum Osmani dhe Faim Sadiku, janë zyrtarizuar si kandidatë për deputetë në listën e Partisë për Drejtësi dhe Pajtim (SPP) të Usame Zukorlićit.
Dalja e dy kandidatëve shqiptarë në listën e SPP-së sjell një situatë të re në garën për votën shqiptare. Pyetja që shtrohet është nëse Osmani dhe Sadiku do të mund të konkurrojnë për të njëjtin elektorat me Shaip Kamberin, i cili ka një histori të gjatë të përfaqësimit parlamentar dhe disa mandate si deputet në Kuvendin e Serbisë.
Për dy kandidatët e SPP-së, kjo do të jetë një garë ku përballë kanë një emër tashmë të njohur për votuesit shqiptarë. Nga ana tjetër, kandidimi i tyre krijon një alternativë tjetër në fletëvotim për qytetarët shqiptarë dhe mbetet të shihet se sa mbështetje do të arrijnë të sigurojnë.
Nëse partitë shqiptare arrijnë marrëveshje për një listë të përbashkët, gara për votën shqiptare mund të bëhet edhe më interesante: në njërën anë kandidatët e listës së përbashkët, me Kamberin tashmë të nominuar nga PVD-ja, dhe në anën tjetër Osmani e Sadiku në listën e SPP-së.
Në të kaluarën ka pasur edhe raste të tjera kur shqiptarë nga Lugina kanë zgjedhur të garojnë në lista të partive jashtë spektrit politik shqiptar. Një prej tyre ishte Kujtim Sadriu nga Presheva, i cili kishte kandiduar për deputet në listën e Partisë Liberal-Demokratike (LDP) të Čedomir Jovanovićit, por pa arritur të siguronte mbështetje të konsiderueshme elektorale në Preshevë/LUGINALAJMI/

